Vazhdon përplasja Kurti-Isufaj, për mosngritjen e aktakuzës ndaj Radoiçiqit

Aktuale

Vazhdon përplasja Kurti-Isufaj, për mosngritjen e aktakuzës ndaj Radoiçiqit

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 20:08
Albin Kurti/ Blerim Isufaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili gjatë ditës pranoi se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2021.

Isufaj po ashtu deklaroi se nuk është çështje e Kurtit ngritja e aktakuzave, pas kritikave të kryeministrit se ka mungesë të tyre lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se është për t’u habitur fakti se edhe pse Radoiçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në këtë sulm, ende nuk ka aktakuzë.

“Nuk e di a e ndani edhe ju me mua habinë se si është e mundur që Milan Radoiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuzë. Unë besoj se as nuk nuk ka nevojë të kryhet fakulteti juridik e as nuk ka nevojë me bë Bachelor, Master apo PhD dhe as nuk ka nevojë me qenë as gjyqtar e prokuror por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarit të Kosovës e identifikon një absurditet të tillë”.

“Informacionin që e ka sjellë AKI, Policia e Kosovës dhe ju si gazetarë në Banjskë është enorm. Ndërkaq shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ja dinë emrin prokurorit që merret me rastin e Banjskës në Zveçan”, është shprehur Kurti.

Këto deklarata ai i ka bërë të premten teksa bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar Telekomin e Kosovës për t’u njohur me sfidat dhe sukseset e kompanisë gjatë këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat