​Përdorimi i fishekzjarrëve përveç rrezikut nga lëndimet, trefishon edhe ndotjen e ajrit

Aktuale

​Përdorimi i fishekzjarrëve përveç rrezikut nga lëndimet, trefishon edhe ndotjen e ajrit

Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 12:29
Foto ilustrim

Edhe pse fishekzjarrët mund të konsiderohen si simbol i festave të fundvitit, bëhet thirrje që përdorimi i tyre të bëhet në përmasa sa më të vogla, për shkak të rrezikut që mund të shkaktojnë.

Gjatë festave të fundvitit, grup-mosha të ndryshme, përfshirë edhe fëmijët përdorin mjetet piroteknike për t’u argëtuar.

Për këtë vit, përmes Doganave të Kosovës janë importuar mbi 170 mijë kilogramë mjete piroteknike të llojeve të ndryshme, ndërsa ekspertët e sigurisë kërkojnë që përdorimi i tyre të bëhet sa më pak që të jetë i mundur.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se duhet rritur vetëdijesimi te qytetarët pasi dëmet dhe rreziku për shëndetin e tyre nga përdorimi i mjeteve piroteknike janë të mëdha.

Ai kërkon që fëmijët të mos përdorin mjete piroteknike, derisa të rriturit duhet treguar kujdes edhe për vendin se ku ata i përdorin.

Islami: Fëmijët të mos i përdorin fishekzjarrët, të zgjidhen vendet e shpërthimit

"Festa e fundvitit sjell edhe fishekzjarrë ku nëpër qendra të ndryshme përdorin të rinjtë tanë, por i përdorin edhe nëpër shtëpi private. Secilin vit kemi parë që fishekzjarrët kanë shkaktuar lëndime të rënda, madje edhe me amputim të gishtave ose dorës. Duhet të bëhet një vetëdijesim më i madh, në mënyrë që ato në të ardhmen të dihen se si duhet të përdoren. Pra, duhet që fëmijët të pa autorizuar të mos i përdorin ato, pastaj që nën përcjelljen e prindërve ose kujdestarit të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të tyre, në mënyrë që të mos kemi viktima ose dëme në shëndetin e fëmijëve tanë... Duhet të përcaktohen vendet ku mund të përdoren dhe t'i ndezin fishekzjarrët, zakonisht nëpër qendra nëpër qytete ku mblidhen të rinjtë, por përdorimi i pa i autorizuar apo i fëmijëve të moshave të vegjël nëpër shtëpitë private, kjo përbën rrezik permanent për fëmijët tanë", thotë Islami.

Edhe specialisti i ajrit në Institutin Hidrometeorologjik (IHM), Shkumbin Shala, thotë se si pasojë e shpërthimit të mjeteve piroteknike ndotja kalon trefishin e vlerave normale të ajrit.

Ai tregon se gjatë shpërthimit të fishekzjarrëve lirohen mijëra grimca pluhuri me përmbajtje të gazrave ndotëse si qymyr, sulfat, nitrate dhe elemente tjera.

Shala thotë se 31 dhjetori ose 1 janari regjistrojnë vlera rekorde të ndotjes së ajrit brenda vitit kalendarik. Ai bën thirrje që fishekzjarrët të përdoren sa më pak, në mënyrë që mos të ndotet ajri.

Shala: Përdorimi i fishekzjarrëve trefishon ndotjen e ajrit

“Përdorimi i fishekzjarrëve, mjeteve piroteknike që shërbejnë edhe për argëtim në ditën e ndërrimit të mot-motit i kontribuojnë shumë ndotjes së cilësisë së ajrit. Këtë e dëshmojmë edhe të dhënat që kemi. Ne zakonisht ditën apo natën e ndërrimit të mot-motit, 1 janarin ose 31 dhjetorin, e regjistrojmë me vlera në disa raste edhe rekorde brenda një viti kalendarik... Për shembull, PM 10 si standard ditor është 50 mikrogramë, në vitet e fundit, sidomos këta tre vjetët e fundit mesatarja e natës së Viti të Ri regjistron deri në 150 mikrogramë për kub që është trefishi i ndotjes normale, vetëm te një parametër. Ndërsa, te parametrat tjerë është e njëjta situatë, sepse janë pajisje të përbëra prej materieve kimike që ato kur eksplodojnë shkaktojnë me mijëra grimca të pluhurit, që janë qymyr që ne i njohim edhe me përbërje të sulfateve, nitrateve dhe nitrateve, kohë pas kohe kur kompletohen, sidomos disa lloje edhe me elemente të tjera që shndrisin, lirojnë mijëra grimca që ne i regjistrojnë si PM 10 dhe 2.5 dhe lirojnë me qindra gazra ndotëse", thekson Shala.

Në një përgjigje përmes emalit, Dogana e Kosovës njofton se gjatë këtij vit janë importuar rreth 171 mijë kilogramë mjete piroteknike, kryesisht nga Kina.

Ndryshe, përdorimi i mjeteve piroteknike ka shkaktuar lëndime të ndryshme trupore, për çka edhe kanë raportuar nga shërbimi emergjent pothuajse çdo vit me rastin e ndërrimit të mot-motit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat