Nisja e gjyqit të madh dhe aktakuza të reja nga Haga

Aktuale

Nisja e gjyqit të madh dhe aktakuza të reja nga Haga

Më: 1 janar 2024 Në ora: 22:40
Foto ilustrim

Haga ishte kryeqendra e zhvillimeve për ish krerët e UÇK-së. Aty filluan gjykime e u dhanë verdikte të shkallës së dytë. Por, për punën që po zhvillohet në Hagë, gjatë vitit 2023 vëmendja u kthye edhe në Kosovë. Rrjedhimsht, u konfirmuan edhe aktakuza të reja për ndërhyrje në drejtësi.

Shumica prej tyre nën masa mbrojtëse, çka solli seanca private, që u kritikuan në vazhdimësi.

Në mënyrë të organizuar, nisja e gjyqit të katërshes, u përcoll me protesta jashtë gjykatës.

Simbolet e UÇK-së dhe këngët patriotike ishin pikat kyqe të protestës.

Ky nuk ishte gjykimi i vetëm që filloi këtë vit kalendarik.

Pjetër Shala, po ashtu nisi betejën para trupit gjykues rreth akuzave për krime lufte.

E vendim të formës së prerë, mori Salih Mustafa.

Në apel, atij iu vërtetua fajësia për krime lufte.

Shkalla e dytë, Mustafës ia uli dënimin, nga 26 në 22 vite burgim.

Zvogëlim të dënimit për tre muaj, patën Gucati e Haradinaj, me vendim të shkallës së dytë.

Mirëpo, ky nuk është vendimi i vetëm ndaj tyre.

Në Kosovë u kthyen për ta vuajtur dënimin me kusht, Gucati dhe Haradinaj.

Fillimisht u lirua Gucati, i cili u prit nga shumë bashkëluftarë e bashkëvendas.

E dy muaj më vonë, edhe Haradinaj, erdhi në Kosovë.

Qëndrimi i tyre është i varur nga disa kushte.

Herë pas here, puna e prokurorëve të specializuar u zhvendos në Kosovë.

Të asistuar nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i, u bastisën bashkëpunëtorë të të akuzuarve në Hagë, nën dyshime për ndërhyrje në proces dhe dëshmitarë.

Një pjesë e tyre, u finalizuan edhe në aktakuza të reja.

Dy herë u planifikua që të vinte në Kosovë.

Një herë e anuloi, ndërsa për të dytën herë, kryetarja e Gjykatës Speciale, erdhi por nuk u prit mirë.

Me protestë e gaz lotsjellës u shoqërua nga jashtë, takimi i saj me shoqëri civile e pjesëtarë të medias.

Përkundër kësaj, vizitat në Hagë, nga figura të ndryshme të jetës publike e familjarë të të akuzuarve, vazhduan përgjatë tërë vitit.

Këto të fundit, vazhdojnë të kompensohen nga shteti i Kosovës.

Mbi 133 mijë euro, i kushtuan kuletës së shtetit, mbulimi i shpenzimeve për vizitat e familjarëve të të akuzuarve.

Me shpenzime prijnë familjarët e Jakup Krasniqi me rreth 27 mijë euro, kurse me 0 shpenzime janë familjarët e ish presidentit, Thaçi.

Shteti i Kosovës, vazhdon të destinojë para edhe për mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së.

Ku nga janari deri në dhjetor, shuma e shpenzuar tejkalon 8 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat