Profesori britanik: Kosova s’do të pranojë marrëveshje që zyrtarizon autonominë për serbët, pa garanci që Serbia do t’ia njohë pavarësinë

Aktuale

Profesori britanik: Kosova s’do të pranojë marrëveshje që zyrtarizon autonominë për serbët, pa garanci që Serbia do t’ia njohë pavarësinë

Më: 2 janar 2024 Në ora: 23:16
Timothy Less

Profesori britanik nga Qendra për Gjeopolitikë në Universitetin Cambridge në Britani të Madhe, njohës i politikës së Evropës Qendrore dhe Lindore, Timothy Less ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka shprehur besimin se nuk sheh përparim të tij ndonëse ai do të vazhdojë. Ka dhënë tre arsye që sipas tij nuk e sheh një përparim. 

Less thotë se është veçanërisht e keqe nga perspektiva e Kosovës, së cilës i është kërkuar që t’i lëshojë autonominë serbëve pa ndonjë garanci përkatëse për njohje nga Serbia. Por, sipas tij, as Serbia nuk është e prirur për arritjen e një marrëveshjeje pasi thotë se qëllimi i saj është të ndajë Kosovën dhe të integrojë veriun dhe marrëveshja që do të arrihej, u ofron serbëve të Kosovës vetëm autonomi.

Profesori britanik e ka komentuar edhe themelimin e Asociacionit. Tha se Asociacioni është më shumë sesa janë të gatshëm të pranojnë shqiptarët për shkak të dispozitave të saj që u japin serbëve autonomi në arsim, kulturë dhe shëndetësi; zyrtarizimi i rolit të Serbisë në sigurimin e financave për serbët e Kosovës; dhe propozimet e saj për t’u dhënë serbëve kryeqytetin, flamurin dhe stemën e tyre. Por është gjithashtu më pak se sa janë të gatshëm të pranojnë serbët, sepse sipas tij, i jep Prishtinës sovranitetin në shumicën e aspekteve të qeverisjes dhe, më e rëndësishmja, i lë serbët në mëshirën e shërbimeve të sigurisë kosovare.

“Nuk mendoj se Kosova do të pranojë ndonjë marrëveshje që zyrtarizon autonominë për serbët – qoftë ky varianti i fundit apo ndonjë tjetër – pa një garanci përkatëse që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe ndoshta as atëherë”, tha Less ndër tjera.

Kur ka folur për aspektin e sigurisë, sidomos pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Less duke parë e komentuar aktualitetin, ka thënë se sheh mundësi për dhunë tjetër në veri.

“Serbia ka më shumë gjasa të përdorë mjete më të vogla se një pushtim për të kundërshtuar përdorimin e forcës nga Kosova, të llojit që kemi filluar të shohim – trajnimin dhe armatimin e popullatës vendase, vendosjen e ushtarëve pa uniformë etj. më tej, duke ripërsëritur taktikat e përdorura në Donbas pas vitit 2014, ku Rusia në mënyrë të ngjashme donte të shmangte ndëshkimin nga Perëndimi. Për aq sa kjo i sjell serbët në konfrontim me shqiptarët, unë shoh dhunën përpara”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat