Prishja e koalicionit PDK-AAK, flet Shaqir Totaj

Aktuale

Prishja e koalicionit PDK-AAK, flet Shaqir Totaj

Më: 3 janar 2024 Në ora: 23:20
Shaqir Totaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është tërhequr sot nga koalicioni me PDK-në në Prizren. Pas këtij vendimi, kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj tha se njëra nga arsyet kryesore të këtij vendimi është kërkesa e tij për ndërrimin e drejtoreshës së shëndetësisë, pozitë të cilën e mbante motra e kryetarit të degës së AAK’së në Prizren.

Kryetari Totaj tha se drejtoresha e Shëndetësisë, Burbuqe Krasniqi nuk kishte performacë të mirë.

“Drejtoresha e Shëndetësisë ka qenë motra e kryetarit të degës së AAK’së. Na kemi kërku që me e ndërru këtë drejtoreshë sepse nuk ka pasur performancë. Na kemi kërku me ndërru drejtoreshën dhe jo me prish koalicionin, ata nuk kanë dashtë dhe janë tërhejkë.” – deklaroi Totaj.

Tutje, Totaj tha se nesër do të tregoj më shumë detaje në konferencë për media.

Ndërkaq, nga AAK kanë njoftuar se ky vendim ka ardhur si pasojë e veprimeve të Shaqir Totajt, të cilat i ka bërë pa u konsultuar me ta.

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Prizrenit, nga sot e tutje AAK në Prizren rrugëton e vetme, shkëput koalicionin qeverisës me Shaqir Totajn në Prizren”.

“Aleanca këto dy vite, me tri drejtoritë që i kemi pasur, ka bërë një punë të shkëlqyer dhe një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me qytetarë, mirëpo kohëve të fundit, kryetari Totaj ka filluar të marrë veprime pa konsultimin dhe pajtimin e Aleancës, veprime që janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe bashkëqeverisës. Kështu që nga sot Aleanca nuk është në bashkëqeverisje me Shaqir Totajn.”, ka njoftuar AAK në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat