Shala: Është në dorën e Qeverisë dhe të atyre që po i bëjnë politikat energjetike nëse do të lirohet rryma

Aktuale

Shala: Është në dorën e Qeverisë dhe të atyre që po i bëjnë politikat energjetike nëse do të lirohet rryma

Më: 4 janar 2024 Në ora: 18:19
Ferat Shala

Me çmimet e larta të energjisë elektrike, nuk po pajtohet deputeti, njëherësh kryetar i komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

Ai ka thënë që politikat qeveritare lidhur me energjinë janë të gabuara.

“Në vitin e kaluar kemi ngrit shqetësime dhe kemi dhënë paralajmërimet publike dhe parlamentare si parti por edhe si deputet që politikat qeveritare në raport me energjinë elektrike në vend janë të gabuara, për mos me thënë deri në shkallë të korrupsionit të lartë”, u shpreh ai.

Shala thotë se duke e pas parasysh situatën aktuale ekonomike, Qeveria duhet t’i rishikojë çmimet e energjisë elektrike.

“Tani është situatë krejtësisht e re dhe parimisht qeveria do të duhej t’i hartonte ose t’i rishikonte politikat e që t’i rekomandonte zyrës së rregullatorit rishikim të këtyre politikave, rishikim të ngritjes së çmimit, rishikim të gjithë tregut energjetikë në vend gjë që nuk ka ndodh, dhe nuk pres që me këtë qeveri të ndodh”, deklaroi ai.

Deputeti u pyet nëse do të kërkojnë si parti që çmimi i energjisë në vend të zbres, ai tha që me fillim të sesionit pranveror do të dalin me qëndrime.

“Ne nuk mund të themi saktë tani për tani jemi në pushim, dhe sapo të kthehemi dhe fillon sesioni pranverorë parlamentar ne do të bisedojmë dhe do të kemi një qëndrim unik, të qartë si grup parlamentar dhe si parti. Tani për tani nuk mund të them diçka të tillë, sepse është në dorën e Qeverisë, në dorën rregullatorit dhe në dorën e atyre që po i bëjnë politikat energjetike në vend”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat