Dedaj komenton vizitën e Cameron në Kosovë, ja mesazhet që nxjerr

Aktuale

Dedaj komenton vizitën e Cameron në Kosovë, ja mesazhet që nxjerr

Më: 4 janar 2024 Në ora: 21:24
Gjergj Dedaj

Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë. Një ardhje e tillë po vlerësohet si shumë e rëndësishme nga ish-ambasadori Gjergj Dedaj.

Ai ka thënë se vizita e Cameron tregon që partnerët strategjik e kanë marr me seriozitet zgjidhjen e problemeve që ka Kosova.

“Vizita e Lordit Cameron në Kosovë, është një nga vizitat më të rëndësishme që ka pasur Kosova këto viteve të fundit. Krahas sekretarit amerikan Blinken e atij të NATO-s, këta tre janë më të rëndësishmit. Kjo na bën optimist që ky vit nuk do t’i ngjasoj viteve të kaluara të plogështisë dhe Kosova do të hyj në një fazë krejt tjetër. Partnerët tanë do ta marrin me seriozitet zgjidhjen e problemeve të Kosovës”, tha ai.

Po ashtu Dedaj thekson se kjo vizitë përveç që është inkurajuese, troket edhe në ndërgjegjen e pushtetit aktual për këndellje të politikës së jashtme, e cila sipas Dedajt ka dështuar.

“Interesi i Britanisë për Kosovën është i përhershëm, me dekada të tëra. Ne duhet t’i ruajmë si sytë e ballit këta partner. Sepse edhe pavarësia e Kosovës ka qenë projekt I përbashkët me partnerët tanë. Kjo vizitë është shumë inkurajuese dhe është edhe një trokitje për pushtetin aktual. Mos të flenë në gjumë, sepse politika e jashtme e kësaj qeverie ka qenë në gjumë, e denigruar e falimentuar, thjeshtë e dështuar”, ka shtuar ai.

Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, nga Prishtina ka premtuar se Britania do të vazhdojë të jetë përkrahëse e madhe e Kosovës. Ai mes tjerash, deklaroi se prioritet i Britanisë së Madhe është që të ketë siguri dhe paqe ne rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, Cameron ka arritur mbrëmë në Prishtinë. Ai është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit në një postim në Twitter shkruan se ishte kënaqësi të takojë ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat