Policia nxjerr detaje: Ja çka u gjet dje në vendin ku u vra Afrim Bunjaku në Banjskë

Aktuale

Policia nxjerr detaje: Ja çka u gjet dje në vendin ku u vra Afrim Bunjaku në Banjskë

Më: 5 janar 2024 Në ora: 09:25 Përditësuar në ora: 12:07 më 05.01.2024
Banjskë

Elshani: Në vendin ku u vra Afrim Bunjaku, u gjetën plumba, gëzhoja dhe një flamur i Serbisë

Policia e Kosovës, të enjtën gjatë patrollimeve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ka hasur në 689 copë plumba, 34 gëzhoja dhe nje flamur të Serbisë.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë se këto municione u gjetën afër urës ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

“Në anën e djathtë të vendit ku u vra polici ynë në shtator, jo në drejtim të manastirit ku tashmë kemi bërë kontrolle, por para urës në këtë fshat – rastësisht kemi hasur në 689 copë municione”, tha Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë - duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Policia me aksion në Banjskë - ja çka sekuestroi

Në fshatin Banjskë të Mitrovicës, njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të Serbisë, 34 gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689 fishekë kalibrash të ndryshëm.

Siç njofton raporti i policisë, nuk ka të arrestuar, ndërsa rasti është nën hetime.

“Fsh. Banjskë, Zveçan / 04.01.2024 – 13:45. 

Njësia policore gjatë patrullimi në afërsi të një kodre ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm.

Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat