S’ka marrëveshje, avokatët: E pamundur mbrojtja e një shqiptari të Kosovës në Serbi

Aktuale

S’ka marrëveshje, avokatët: E pamundur mbrojtja e një shqiptari të Kosovës në Serbi

Më: 6 janar 2024 Në ora: 22:06
Foto ilustrim

Pas liberalizimit të vizave më 1 janar, qytetarët filluan të vizitojnë të afërmit e tyre në shtete të ndryshme të zonës Schengen. Një prej tyre është edhe Hasan Dakaj, dikur pjesëtar i UÇK-së. Ai po shkonte në Itali te vëllai, por u arrestua nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë. Ky rast ka bërë që institucionet e Kosovës të reagojnë dhe të kërkojnë lirimin e tij, ndërkohë që avokatët kosovarë deklarojnë se juridikisht e kanë të pamundur ta mbrojnë atë në Serbi.

Derisa autoritetet serbe vazhdojnë ndalimin dhe arrestimin e ish-ushtarëve të UCK-së, në momentin kur kalojnë nëpër pikat kufitare nga Kosova në Serbi, përfaqësimi juridik i tyre nga avokatët kosovarë mbetët i pamundur.

Avokati Florim Shefqeti i tha RTK-së se ky mbetet shqetësim i madh për familjarët. Ai ngre nevojën e diskutimit përmes dialogut ndërmjet të dyjave vendeve që të mundësohet përfaqësimi juridik në raste të tilla.

“Kjo është jashtëzakonisht delikate, duke pasur parasysh që Ligji për avokatet në Kosovë, neni 40 ka përcaktuar që për regjistrimin e avokatëve të huaj në Kosovë, duhet që të bëhet ekzistimi i reciprocitetit, në këtë mënyrë dihet botërisht,  që edhe avokatët nga Kosova nuk mund të përfaqësojnë juridikisht në asnjë institucion në Serbi”, tha ai.

Gjithçka që mund të bëhet, sipas Shefqetit, është vendosja e kontaktit me avokatin përfaqësues që e caktojnë institucionet e drejtësisë në Serbi.

“E vetmja mënyrë që ne e shohim në këtë fazë është përmes avokatit që caktohet nga Kosova dhe avokatit që caktohet në Serbi. Absolutisht që po, jo vetëm kontakti, por edhe besimi për përfaqësimin qw bëhet, do të duhet që ky aspekt të jetë temë e diskutimit ndërmjet të dyja vendeve me qëllim që të ketë një zgjidhje. Wshtë e pamundur sepse licenca e republikës së Kosovës nuk njihet në Serbi”, theksoi ai.

Arrestimi nga Serbia i Hasan Dakajt, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa kalonte kufirin bashkë me vëllanë e tij, shtyu autoritetet kosovare të aktivizojnë të gjithë mekanizmat institucionalë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar edhe partnerët ndërkombëtarë dhe se dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat