KE konfirmon se po merret me rastin e rrahjes dhe arrestimit të Nikola Sanduloviqit

Aktuale

KE konfirmon se po merret me rastin e rrahjes dhe arrestimit të Nikola Sanduloviqit

Më: 9 janar 2024 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Komisioni Evropian është duke e ndjekur për së afërmi rastin e arrestimit, keqtrajtimit dhe paraburgosjen së politikanit serb Nikola Sanduloviq.

Kështu ka konfirmuar për T7 Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.

Në përgjigje thuhet se KE ka parë raporte në lidhje me paraburgimin dhe keqtrajtimin e supozuar të z. Sanduloviq dhe se është duke e ndjekur nga afër rastin në fjalë.

“Ne po e ndjekim nga afër këtë rast dhe jemi në kontakt me autoritetet përkatëse dhe palët e interesuara. Është e rëndësishme që të kemi qartësi të plotë të fakteve rreth këtij rasti. Presim që të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale dhe çdo pretendim i besueshëm për dhunë duhet të ndiqet efektivisht nga autoritetet kompetente përkatëse”, thuhet në përgjigjen e KE-së.

Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke theksuar faktin se ai është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe, në godinën e BIA-s.

Pas rrahjes së Sanduloviqit, ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns. Ajo është shprehur e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e politikanit serb.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që politikani serb është në prag të jetës dhe vdekjes. Ai ishte helmuar edhe një herë, dy vjet më parë – me sa duket është mjeti i preferuar i likuidimit në Lindje, Novichok ndërsa i mbijetoi dy atentateve me eksploziv.

Ndryshe, Sanduloviq e ka quajtur presidentin serb, Aleksnadar Vuçiqi, kriminel lufte dhe e ka porositur që para se të shkojë në Kosovë, duhet të kërkojë falje dhe ta pranojë krimin e kryer në Reçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat