Kryeziu: Kosova e ka obligim ta hartojë draft-statutin e Asociacionit

Aktuale

Kryeziu: Kosova e ka obligim ta hartojë draft-statutin e Asociacionit

Më: 9 janar 2024 Në ora: 23:49
Kadri Kryeziu

“E kemi obligim shtetëror t’i zbatojmë marrëveshjet, Asociacioni ka karakter unilateral, që nënkupton Kosova duhet ta bëjë vetë draftin e Asociacionit”, deklaroi kështu, njohësi i çështjeve politike, Kadri Kryeziu.

Në kuadër të diskutimit për presionin e Asociacionit nga ndërkombëtarët, Kryeziu tha se përkundër detyrimit, kanë hezituar t’ia dorëzojnë një projekt statut Bashkësisë Ndërkombëtare, e që të njëjtit e kanë bërë vetë një të tillë, tashmë të deleguar në Kosovë.

“Ky është një proces që ka filluar nga viti 2013 e tutje, të cilin ne e kemi obligim si shtet, për shkak se të gjitha këto marrëveshje kanë kaluar në Parlamentin e Kosovës, kanë hyrë në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës dhe e kemi obligim shtetëror t’i zbatojmë këto marrëveshje. Njëra prej tyre është edhe Asociacioni, që e ka karakter unilateral, që nënkupton Kosova duhet ta bëjë vetë draftin e Asociacionit. Ne është dashur paraprakisht të bëjmë një projekt statut  dhe të dorëzojmë në Bashkësinë Evropiane,  përkundër asaj, ne kemi hezituar në këtë drejtim dhe Bashkësia Evropiane e ka bërë një projekt statut të cilin e ka deleguar tash në Kosovë, e që i cili është në opinion publik dhe në bazë të procedurave duhet të shkojë në Qeverinë e Kosovës, pastaj të dekretohet nga ministri i pushtetit lokal dhe të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të japë verdiktin e fundit”, deklaroi Kryeziu në emisionin “Infonata”.

Më tej, Kryeziu tha se draft statuti ka bazueshmëri juridike në marrëveshjet 2013-2015.

“Draft-statuti ka bazueshmërinë juridike në marrëveshjen 2013-2015, ka disa çështje që nuk kundërshtohen në kuptimin kushtetues. Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë të shikojë se a ka diçka në kundërshtim”, shtoi tutje Kryeziu.

Po ashtu, Kryeziu vlerësoi që një pjesë dërrmuese e draft-statutit nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat