Kryeziu tregon pse Britania e Madhe e mori “bajrakun” për mbrojtjen e Kosovës nga Serbia

Aktuale

Kryeziu tregon pse Britania e Madhe e mori “bajrakun” për mbrojtjen e Kosovës nga Serbia

Më: 10 janar 2024 Në ora: 23:25
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka thënë se nuk është befasi angazhimi i vendosur i Britanisë së Madhe për të mbrojtur zëshëm Kosovën ndaj kërcënimeve që vijnë nga Serbia.

“Edhe procesin e bombardimeve në vitin 1999 e ka filluar pikërisht Britania e Madhe. Toni Blair ka ndikuar shumë te Shtetet e Bashkuara në atë kohë për t’u filluar bombardimet”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai tha se SHBA nuk ka aleat më të afërt se Britaninë në Evropë.

“Britania është në Evropë dhe Amerika është e interesuar që këtë çështje ta mbarojnë evropianët. SHBA nuk ka mik më të vendosur në Evropë se sa Britaninë e Madhe. Atë që e thotë Britania është edhe mendim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Ka edhe interesa politike e gjeostrategjike, ushtarake në këtë drejtim, por në bazë të deklaratave të Cameron Britania ka marrë detyrë që të ruaj integritetin territorial të Kosovës dhe siç e themi ne ajo i tha “shul shqip” Serbisë se “nëse e prekni Kosovën do të keni punë me Britaninë e Madhe””, shtoi Kryeziu.

Sekretari i jashtëm britanik David Cameron deklaroi të martën se qeveria britanike është e pakënaqur me qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Në një raportim para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit britanik, Cameron, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, tha se qeveria e tij është e përkushtuar që Serbisë t’i mundësohet integrimi evropian, por shtoi se sulmi i grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës në muajin shtator, një ndër incidentet më të rënda në Kosovë, “paraqiti një rrezik të madh” për sigurinë e rajonit.

Ai deklaroi se nuk mund të thotë nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njejtin mendim, por theksoi se në bazë të bisedave që ka patur “kam përshtypjen se ekziston pakënaqësi, pasi e kuptojnë se Banjska ishte një rrezik i madh.”

Cameron tha se “qëndrimi i Perëndimit, sa i përket Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, është hartuar para agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe duhet të mendojmë shumë se çfarë ka ndryshuar.”

Edhe deputetja britanike Alicia Kearns, ka kërkuar llogari pse nuk po bëhen publike të gjeturat për sulmin në Banjskë.

Këto komente Kearns i bëri gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Sekretarit të jashtëm britanik, David Cameron.

“Unë e di që një vend tjetër – një vend i “Five Eyes” – ka me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë ato rezultate. Kështu që, unë mendoj se në Mbretërinë e Bashkuar duhet të dalin me rezultate duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi atë ditë sepse Vuçiq ende thotë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk ka ndodhur”, tha Kearns.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat