Kurti kërkon nënshkrim të marrëveshjes; Varadkar zbulon qëndrimin e Irlandës për Asociacionin - ja mesazhi i fortë për BE-në

Aktuale

Kurti kërkon nënshkrim të marrëveshjes; Varadkar zbulon qëndrimin e Irlandës për Asociacionin - ja mesazhi i fortë për BE-në

Më: 11 janar 2024 Në ora: 07:04 Përditësuar në ora: 11:49 më 11.01.2024
Leo Varadka dhe Albin Kurti

Varadkar: Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen, Asociacioni të themelohet, por jo si mikro-shtet

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar tha se vendi i tij beson se masat kufizuese ndaj Kosovës duhet të hiqen, ndërsa kërkoi zgjedhje të parakohshme dhe demokratike në veri dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, Varadkar tha se Asociacioni nuk duhet të jetë një mikro-shtet.

“Qëndrimi i qeverisë irlandeze është që besojmë se masat kufizuese që janë vënë ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe ky është një pozicion që ia kam treguar edhe kryeministrit zyrtarisht”, tha ai në konferencën e përbashkët për media.

Kryetarët e komunave veriore, Varadkar tha se duhet t’i përfaqësojnë njerëzit që jetojnë atje.

“Dhe është shumë me rëndësi që kryetarët e komunave të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe të përfaqësojnë njerëzit që jetojnë në ato zona”, tha ai.

“Dhe dua ta shoh Asociacionin që po themelohet, mirëpo kjo duhet të bëhet në koordinim të atyre zonave dhe nuk dua të shoh të krijohet një mikro-shteti brenda Kosovës. Kjo nuk do të jetë diçka që do të ishte e dobishme për të ardhmen”, tha ndër tjerash kryeministri irlandez.

Kurti tregon kur mund të flitet për Asociacionin

Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin irlandez, Leon Varadkar, u pyet për deklaratën e tij ku shprehte gatishmëri ta shkruajë draftin e Asociacionit bashkë me dy ministrat e tij.

Kurti tha se nuk ka dhënë premtim për shkrimin e Asociacionit, por se ka shprehur aftësinë e tij për të shkruar një draft të tillë, derisa bëri thirrje që Asociacionin të mos e nxjerrin nga paketa e marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi.

“Nëse është çështje e brendshme, siç u tha për herë të parë, unë mund ta shkruaj, pra nuk i kam dhënë premtim tjetrit, por kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë. Por, mos të ngatërrojmë hierarkinë e gjërave – marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa dhe ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Nuk është top prioriteti i normalizimit , është marrëveshja bazike. Të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos i nxjerrin nga paketa draft-statutin apo Asociacionin si një çështje”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se dëshiron marrëdhënie normale me Serbinë dhe se marrëdhëniet normale janë marrëdhënie europiane të fqinjësisë së mirë.

“Kjo është e rëndësishme për paqen dhe rrugëtimin europian, integrimin në familjen europiane që paraqet edhe fatin tonë edhe synimin tonë”, tha Kurti, derisa tregoi edhe për shkelet e Serbisë ndaj marrëveshjes.

“Problemi është që nga 11 nenet, së paku 8 janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim, por edhe respektim. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar edhe nënshkrim. Ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes. BE si arbitër të reagojë sa herë ka shkelje edhe më të vogla”.

Kryeministri Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike me Serbinë, të arritur më 27 shkurt në Bruksel, duke thënë se Serbia ka shkelur tetë nga 11 nenet e asaj marrëveshje.

Shefi i Qeverisë ka theksuar se marrëdhëniet normale me Serbinë janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin irlandez të enjten, Kurti ka thënë se po këmbëngul në nënshkrim pasi po do siguri ligjore që marrëveshja të zbatohet dhe të mos shkelet.

“Dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior dhe marrëdhëniet normale janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian që paraqet edhe fatin tonë, por edhe synimin tonë. Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për mos ta shkelur. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. I bëj thirrje Bashkimit Evropian që gjithmonë të reagojë, edhe në shkeljet e vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë të shpeshta e jo të vogla”, ka thënë Kurti.

Varadkar: Do ta përkrahim Kosovën që të bëhet anëtare e KiE këtë vit, masat duhet të hiqen

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, ka thënë se do ta përkrah Republikën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës këtë vit. Përkrahje, Varadkar ka premtuar edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Varadkar ka thënë se bashkë me kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një takim konstruktiv dhe se temë diskutimi ka qenë thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Varadkar deklaruar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

“Unë do ta përkrah Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet dhe të nis procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova po tregon zotim ndaj vlerave evropiane. Keni harmonizuar edhe politikat e sigurisë me ato të BE-së që është shumë me rëndësi”, ka thënë ai.

Ka shtuar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është jetik për të arritur një harmoni dhe për të pasur një zhvillim të mëtejmë.

Sipas tij, sivjet është më rendësi që ky stabilitet të konsolidohet.

Varadkar ka thënë se masat kufizuese ndaj Kosovës duhet të hiqen.

Ai ka thënë se Asociacioni duhet të bëhet por nuk duhet të ketë mikroshtet brenda Kosovës.

Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar homologut të tij irlandez Leo Varadkar mbështetje për statusin kandidat në Bashkimin Evropian, ndërsa ka falënderuar Irlandën për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Kurti ka thënë se Kosova dhe Irlanda kanë ngjashmëri të mëdha mes vete dhe se të dyja shtetet kanë aspirata të njëjta.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Kurti deklaroi se Kosova e ka si frymëzim zhvillimin e shtetit të Irlandës.

“Në një kohë kur demokracia rrezikohet, Irlanda është një shembull nga vendet që luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Zhvillimi ekonomik dhe progresi social e ka bërë Irlandën frymëzim i shumë shteteve. Irlanda është frymëzuese për ne sepse me ta kemi ngjashmëri që i ndajmë, si nga pikëpamja shoqërore, shquhemi për mikpritjen pavarësisht vështirësive. Te dy vendet kanë miqësi me SHBA-të. Te dy vendet tona janë të orientuara ka rritja thelbësorë dhe progresi social. Irlanda është mbështetëse e Kosovës si në Këshill të Evropës, si dhe për anëtarësim në BE për çka kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues dhe mirënjohës. Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për marrëdhënie dy paleshe”, u shpreh Kurti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se presin që në të ardhmen të thellojnë miqësinë me Irlandën.

“Ne presim që të thellojmë miqësinë mes dy vendeve tona dhe të mësojmë më shumë nga përvojat e sukseset e Irlandës. Irlanda është mbështetëse e Këshillit të Evropës dhe në anëtarësimin tonë në BE, për çka kërkuam mbështetje për statusin kandidat. Irlanda poashtu ka dhënë kontribut të hershëm që e vazhdon edhe sot përmes misionit të KFOR-it. Populli i Kosovës është gjithnjë falënderues”, ka deklaruar Kurti.

Kurti insiston për nënshkrim në marrëveshjen me Serbinë, kërkon reagim nga BE-ja

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se arsyeja se pse Kosova është duke insistuar që të ketë nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit me Serbinë dhe aneksin të saj pasi sipas tij, Serbia nuk është duke e respektuar e zbatuar atë.

Ai në një konferencë për media me homologun irlandez Leo Varadkar ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj shkeljeve që po i bën dhe mund t’i bëjë Serbia për këtë marrëveshje që është në kuadër të procesit të dialogut.

“Ne dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë, Serbinë, marrëdhëniet normale janë marrëdhënie evropiane të fqinjësisë së mirë, kjo është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë, edhe për rrugëtimin evropian, integrimin në familjen e madhe evropiane”.

“Më datë 27 shkurt jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, më 18 mars vendosëm për aneksin e zbatimit, problemi është se nga 11 nenet e marrëveshjes bazike së paku tetë janë shkelur nga Serbia, ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për respektim dhe mos shkelje të saj e për këtë arsye kemi kërkuar nënshkrim të marrëveshjes”.

“Normalizimi duhet të jetë normal, andaj ne insistojmë në nënshkrim, kërkojmë nga BE-ja që gjithmonë të reagojë ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen ato, fatkeqësisht janë të shumta dhe nuk janë të vogla”, ka thënë Kurti.

Kurti: Kosova duhet të mësojë nga përvoja dhe suksesi i Irlandës, kemi ngjashmëri dhe lidhje të ngushta me SHBA-në

Kryeministri Albin Kurti tha se me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar biseduan për thellimin e miqësisë, ndërsa tha se Kosova mund të mësojë nga përvoja dhe suksesi i Irlandës.

Kurti tha se “Irlanda është shembulll” dhe “burim frymëzimi”.“Kemi ngjashmëri që ne i ndajmë… Nga pikëpamja shoqërore, populli ynë shquhet për ngrohtësinë dhe mikpritjen e tij pavarësisht vështirësive që ka përjetuar”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media.

“Të dy shtetet gëzojmë një aleancë të palëkundur dhe lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Kurti tha se “Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësimin si në Këshillin e Europës, si dhe për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Ai tha se i kërkoi kryeministrit irlandez mbështetje për të marrë statusin e vendit kandidat.

Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun e tij irlandez

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur me ceremoni shtetërore kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.

Dy kryeministrat pastaj do të mbajnë një takim dypalësh dhe pas takimit do të mbajnë edhe një konferencë për media në ora 10:30.

Ndërsa në orën 11:00, kryeministri Varadkar do të zhvilloj takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vizita e kryeministrit irlandez, Policia: Do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në trafik

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të ketë ndërpreje të përkohshme të qarkullimit në trafik në Prishtinë, për shkak të vizitës zyrtare që do ta bëjë Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar.

Bëhet e ditur se Policia do të ofrojë siguri dhe mirëmbajtje të rendit e qetësisë publike gjatë kohës kur ka lëvizje të eskortës së kryeministrit irlandez dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Irlandës sot do t`i takojë krerët e shtetit të Kosovës

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadka, i cili mbrëmë ka arritur në Kosovë së bashku me një delegacion shoqërues irlandez, sot do vazhdojë takimet në Kosovë

Ai nga ora 9.30, do të ketë pritje me ceremoni shtetërore në sheshin "Skënderbeu, nga ora 09.35, mbahet takimi ndërmjet dy delegacioneve, kurse nga ora 10.30  do të mbahet konferenca e përbashkët e kryeministrit Kurti dhe kryeministrit të Irlandës, Varadkar.

Ndërkaq në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të presë në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Për vizitën zyrtare të kryeministrit të rlandës, Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues irlandez, Policia e Kosovës, njofton se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror irlandez në Kosovë, raporton RTKlive.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, ndërprerje të qarkullimit mund të ketë, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

“Policia do ta riorientojë trafikun në rrugë alternative, andaj kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat