Vrasja në tentativë në Prizren, Gjykata merr vendim për të dyshuarin

Aktuale

Vrasja në tentativë në Prizren, Gjykata merr vendim për të dyshuarin

Më: 11 janar 2024 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Mestan Skenderit, i cili dyshohet për vrasjen në tentativë ndaj Nazim Berishës në Prizren.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, tha se gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, Gjyqtari i procedures paraprake Artan Sejrani, me datë 10.01.2024, ka marrë AKTVENDIM dhe ndaj të pandehurit M.S., i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, e cila mund të zgjasë deri me datë 08.02.2024, për shkak të dyshimit të bazuar se më datë 09 janar, rreth orës 17:00, në hyrje të Spitalit Rajonal në Prizren, tenton të privon nga jeta të dëmtuarin N.B., pas një mosmarrëveshje paraprake që ka pasur me të dëmtuarin dhe djalin e tij E.B., rreth shitjes së automjetit të cilën i dëmtuari nuk i ka paguar dhe në momentin kur i pandehuri i parë M.S., së bashku me babain e tij shkojnë në spital për të kërkuar sqarime rreth arsyeve të shitjes së automjetit personave të tretë ende pa i paguar atë, fillon një përleshje fizike ndërmjet të pandehurve me ç’rast M.S., nxjerr pistoletën e kalibrit 7.65 mm dhe nga afërsia shtën tre herë në drejtim të N.B., të cilin e plagos me këtë ka kryer veprën penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-ës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Skenderi do të hetohet po ashtu edhe për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Si ndodhi e gjithë ngjarja?

I gjithë sherri mes palëve dyshohet të ketë ndodhur në lidhje me shitblerjen e një automjeti. Mestan Skenderi pak ditë më parë kishte lidhur marrëveshje me Nazim Berishën, për t’ia shitur veturën e tij.

Sebep për përleshjen fizike mes Skenderit dhe Berishës, ku u përfshinë edhe familjarët e tyre, u bë fakti që Berisha bashkë me djalin e tij e kishin shitur veturën në fjalë te një person i tretë pa ia kryer obligimin financiar.

Gjatë përleshjes, Mestan Skenderi dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të Nazim Berishës dhe të njëjtit i ka shkaktuar plagë në këmbë. Viktima u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren dhe gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar pas ndihmës mjekësore.

Në stacion policor janë shoqëruar edhe personat tjerë të përfshirë, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Mësohet se Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e Mestan Skenderit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat