​Osmani: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat në BE

Aktuale

​Osmani: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat në BE

Më: 11 janar 2024 Në ora: 15:34
Foto nga vendngjarja

Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, deklaroi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut.

Osmani ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.

“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, tha Osmani.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.

Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata ndërkombëtare.

Në raport me zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësor në deeskalimin e situatës në veri, ndaj i cilësoi masat ndëshkuese të BE-së jo-proporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Për sa i përket situatës së sigurisë, presidentja Osmani tha se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 24 shtatorit në Banjskë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në arsim dhe shëndetësi.

Ndryshe, kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, i cili ndodhet në vizitë dyditore në Kosovë, gjatë ditës është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat