Zëvendësministri i Mbrojtjes: Heronjtë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha treguan rrugën e çlirimit

Aktuale

Zëvendësministri i Mbrojtjes: Heronjtë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha treguan rrugën e çlirimit

Më: 11 janar 2024 Në ora: 17:39
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, e ka quajtur ditë të veçantë përkujtimin e dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, duke i nderuar ata dhe duke përmendur rolin e tyre të shquar në historinë e lirisë së Kosovës.

“Jemi rrugës nga Gjilani, dhe tani jemi duke shkuar në aktivitetin qendror që mbahet Akademia përkujtimore për Rexhep Malin dhe Nuhi Berishën, dy heronjtë tanë që organizohet nën patronimin e kryeministrit të Kosovës. Edhe tani kam emocione kur i përmendi pasi të dy i kam njohur dhe që nga vepra e tyre sakrifica dhe ajo çfarë ata kanë dërguar tek ne kemi jetuar kemi rrugëtuar kemi luftuar dhe kemi fituar me gjithë atë potencial që ata e kanë dhënë për çështjen tonë kombëtare dhe vet rënia e tyre simbolike është mesazhi më i fuqishëm që kishte ardhur dita që të niset lufta çlirimtare,” ka deklaruar zëvendësministri Syla.

Ai ka theksuar rolin e tyre si rezistentët kryesorë që i kishte bashkuar ideali.

Siç është shprehur ai, Rexhep Mala ishte simbol i qëndresës kombëtare, duke treguar guxim nëpër burgje dhe fituar emrin e qëndresës së kombit.

Ndërkaq, Nuhi Berisha është përshkruar si shembull i guximit të rinisë shqiptare, duke bashkuar energjinë dhe idetë për çlirimin e Kosovës.

“Dy heronjtë ishin me simbolika të veçanta por që i bashkoi ideali, Rexhep Mali ishte qëndresa e kombit me veprën e tij dhe qëndresën nëpër burgje vërtet e ka fituar këtë emër, ndërsa Nuhi Berisha ishte guximi i rinisë shqiptare që të dy me një moshë 10 vjeçare që i ndante u bashkuan si qëndresa me guximin dhe me idetë planprogramin qartë politike dhe kombëtare për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Syla ka theksuar se rënia e tyre ka qenë një mesazh i fortë për popullin shqiptarë.

“Me flijimin e tyre ata na treguan se nuk ka rrugë tjetër përveç çlirimit, ata ranë sepse pas tyre lindën me mijëra të tjerë. Ata ishin zëri i fuqishëm e asaj se çfarë do të plasonte më vonë,” ka thënë Syla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat