Zbulohen emrat e dy biznesmenëve llapjan që ndodhen në arrati për rastin “Lakeside Hotel”

Aktuale

Zbulohen emrat e dy biznesmenëve llapjan që ndodhen në arrati për rastin “Lakeside Hotel”

Më: 11 janar 2024 Në ora: 17:44
“Lakeside Hotel”

Dy biznesmenët llapjan, Besim Batatina dhe Bedri Batatina pronarë të bizneseve “Batatina” Sh.p.k dhe “Batatina BB” janë duke u kërkuar nga shteti për bashkëkryerje në veprat penale “shmangie nga tatimi” dhe “prezantim të dokumenteve të rrejshme” bashkë me biznesmenin e arrestuar, Feim Pulaj, pronar i hotelit “Lakeside”. Ata po dyshohen se së bashku kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës me afro tre milionë euro.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar Gazeta kuptohet se dy biznesmenët që janë duke u kërkuar nga Krimet Ekonomike si të përfshirë në rastin e “Lakeside Hotel” janë Besim Batatina dhe Bedri Batatnia.

Sipas dosjes së Prokurorisë të pandehurit, Feim Pulaj, Besim Batatina dhe Bedri Batatina kanë shmangur tatimin e paraparë sipas ATK’së duke mos raportuar tatimin e obliguar, kështu ata kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës me mbi 122 mijë euro.

Ndryshe, gazeta raportoi se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimin ndaj  biznesmenit Feim Pulaj dhe 18 zyrtarëve të tjerë të ATK’së. Pulaj është arrestuar nën dyshimin për evazion fiskal, ndërkaq 12 zyrtarët e ATK-së për “mashtrim në detyrë”.

Kush është biznesmeni nga Zvicra, që u arrestua nga Krimet Ekonomike?

Pulaj, investitor nga Zvicra, është pronar i kompanisë “Advan Tech” e cila po ashtu është nën llupën e prokurorisë për një marrëveshje të dyshimtë me Telekomin e Kosovës që nga viti 2019.

Një kontratë që ishte nënshkruar mes kompanisë “Advan Tech” dhe Telekomit të Kosovës nuk ka filluar të zbatohet kurrë. Kjo pasi që lidhur me këtë kontratë kishin nisur hetimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Hetimet kanë filluar bazuar në kallëzimin penal që ka bërë menaxhmenti i kaluar i Telekomit. Ky menaxhment ka ngritur dyshimet për disa pika të kontratës, të cilat i ka konsideruar si të dëmshme për ndërmarrjen. Në mesin e tyre është edhe ndarja e fitimit prej 60 për qind për kompaninë private, ndërsa 40 për qind për Telekomin.

Kontrata është nënshkruar në fund të vitit 2019 nga ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Bedri Istrefi.

Për këtë veprim të fundit të Telekomit, biznesmeni Feim Pulaj i është drejtuar Burbuqe Hanës, drejtoreshë në këtë ndërmarrje publike dhe Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Nga to ka kërkuar që të heqin dorë nga shpallja e kontratës së re dhe ta zbatojnë këtë aktualen me kompaninë e tij.

Ndryshe thotë se kontesti mes tyre do të zgjidhet në organet e drejtësisë. Pulaj kishte deklaruar në vitin 2021 se kjo çështje rrezikon të shkoj në arbitrazh.

“Kjo na e hap rrugën me shku në Arbitrazh. Ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në Arbitrazh. Jemi të interesuar me shku me punu. Kur e kam marre me ec përpara, me ec përpara Telekomi, jo me dëmtu atë”, ishte shprehur Pulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat