Anton Quni: Goditje për demokracinë, tentimi i pushtetit për të ndikuar në të gjitha institucionet

Aktuale

Anton Quni: Goditje për demokracinë, tentimi i pushtetit për të ndikuar në të gjitha institucionet

Më: 11 janar 2024 Në ora: 19:49
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se tentimi dhe interferimi i vazhdueshëm i ekzekutivit në të gjitha institucionet është goditje për demokracinë.

Quni thotë se kjo është e papranueshme për shtetin e Kosovës.

Ai ka kritikuar pushtetin se nuk po punojnë dhe në këtë rast po mundohen të gjejnë fajtorë pa faj.

“Kur s’ka punë ka fjalë, e për pasoj ka edhe fajtorë pa faj. Unë nuk dua të besoj që vetë ministrja Haxhiu beson në atë që thotë. Dua të besoj se ministrja Haxhiu e ka të qartë se në demokraci pushtetet janë të ndara. Ndërsa, tentimi dhe interferimi i vazhdueshëm i ekzekutivit në të gjitha institucionet është goditje për vetë demokracinë. Dhe një gjë e tillë është e papranueshme, e papërballueshme dhe e padurueshme për shtetin tonë”, tha ai.

Sipas Qunit “as ministrja Haxhiu dhe as Qeveria nuk duhet të sillen më si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, sepse kjo e drejt i takon saktësisht Gjykatës Kushtetuese”.

Deputeti Quni tha se sa ishin në opozitë partisë në pushtet i pëlqenin vendimet e Kushtetueses, ndërkaq sot po e akuzojnë në mungesë të rezultateve qeverisëse.

“Nuk duhet harruar se pushtetit të sotëm që ishte opozita djeshme, jo rrallë herë i pëlqenin vendimet e po të njëjtës Gjykatë Kushtetuese. Ndërsa, sot për mungesën e rezultateve qeverisëse nuk po lënë kënd pa e akuzuar. Faji për dështim në qeverisje u takon fajtorëve të vërtetë – qeveritarëve”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat