Gjykimi për dallavere me patentë shoferë, ish-sekretari i MI’së thotë se buxheti i Kosovës nuk u dëmtua asnjë cent

Aktuale

Gjykimi për dallavere me patentë shoferë, ish-sekretari i MI’së thotë se buxheti i Kosovës nuk u dëmtua asnjë cent

Më: 12 janar 2024 Në ora: 07:11
Foto ilustrim

Në gjykimi për dallavere me patentë shofer, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës (MI) Betim Reçica ka thënë se në këtë rast nuk ka dëm financiar asnjë cent.

Në këtë rast, ish-ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të Automjeteve në MI, Kadri Krasniqi dhe ish-këshilltarit Politik në MI, Pjetër Ndou po akuzohen për korrupsion.“Dëm financiar asnjë cent nuk ka aty, e kundërta është, s’ka dëm financiar. Unë me përgjegjësinë më të plotë morale materiale si person zyrtar ja kom spegju të njëjtin edhe hetuesit nuk ka dëm këtu”, tha Reçica.

Këtë deklarim Reçica e bëri në seancën e së enjtes i cili u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, në të kundërtën, sipas tij, do të kishte qenë dëm i madh nëse Departamenti i Automjeteve nuk do të ushtronte veprimtarinë.

“E kundërta do të ndodhte sikur mos të funksiononte nënshtrimi i kandidatëve për provim për patentë shofer. Mirëpo, sa i përket dëmit material, për aq sa di, aq sa kom pa nuk ka, nuk ka as palë të dëmtume sepse edhe ata ekzaminerë edhe pyetës janë kompensu”, tha ai.

Dëshmitari Reçica ka thënë për të lidhur kontrata pune për pyetësit e angazhuar për patentë shofer është kompetencë e sekretarit të përgjithshëm dhe ministrit.

Po ashtu, sipas tij, zyra e menaxhmentit që është sekretari dhe ministri është kompetente për hapjen e konkursit për provim për pyetësit për patentë shofer.

“Kompetencë e ka zyra e menaxhmentit që është sekretari dhe ministri, për sqarim ajo gjithmonë shkon përmes një procedure ku nevojat e departamentit i inicion drejtori i departamentit që është njësi kërkuese që është terminologji ligjore dhe i referohet zyrës aprovuese që është zyra e sekretarit zakonisht ose në ndonjë rast edhe ministri, varësisht prej rregullativës në fusha të caktuara”, tha i njëjti.

Gjatë kohës sa ishte sekretar në MI Reçica tha se pyetësit teorik dhe praktik e kanë ushtruar veprimtarinë e tyre, por nuk i kujtohej koha e pranimit të tyre.

Gjithashtu Reçica ka thënë se nuk ka njohuri nëse Drejtori i Departamenti të Automjeteve mund të vendos për pranimin e pyetësve teorik e praktikë për patentë shofer pa pasur njohuri sekretari i përgjithshëm.

Tutje, dëshmitari Reçica ka thënë se nuk është detyrim ligjor planifikimi paraprak i hapjes së konkursit.

“Nuk kom njohuri që për hapjen e konkursit të parashihet planifikim paraprak, mund të jete një praktike e mirë por nuk është detyrim ligjor”, tha i njëjti.

Sipas tij, punët dhe detyrat e Drejtorit të Departamentit të Automjeteve janë të caktuara me akt emërimin që lidhen me fushën e Departamentit të Automjeteve.

“Janë të përcaktuar me organo gramin e MI-së dhe me legjislacionin tjetër bazik themelor dhe sekondar që bëjnë pjesë disa udhëzime administrative që kanë të bëjnë me fushën e automjeteve”, tha Reçica.

Në kohën sa ishte sekretar në MI, i njëjti tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që tani i akuzuari Ndou ta ketë thirrur atë për të ndikuar për dhënien e provimit për patentë shoferë apo për përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminerë.

Tutje, dëshmitari Reçica ka thënë se janë zhvilluar procedurat e rekrutimit.

“Po janë zhvillu proceduat janë pjesë e lëndë, është përmbush forma ligjore për përmbushje të kontratave janë përcjellë hapat ligjore, është bërë vlerësimi”, tha ai.

Sipas tij, të gjithë kandidatët që kanë ofruar shërbime kanë qenë të licencuar.

Ndërsa, përgjegjës për lëshimin e licencave sipas Reçicës është ministri.

“Nuk ka qenë kompetence e Kadrisë me licencu pyetësit, ajo është kompetencë ku i nënshtrohen një komisioni. Unë e di që është një procedure ku ministri e lëshon licencën, natyrisht ministri mund ta delegoj një kompetencë ashtu siç parashihet me Ligjin për Administratën Shtetërore”, tha ai.

Paraprakisht në këtë seancë, pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar tre të akuzuarit u deklarun të pafajshëm për veprat penale që ju vihen në barrë dhe po ashtu është dhënë fjala hyrëse nga palët në procedurë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 nëntor 2020 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Nebih Shatri dhe Kadri Krasniqi ngarkohen se si persona zyrtar, në bashkëkryerje me qëllim që të tjerët të përfitojnë e duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Kështu, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par. 1 lidhur me par 2.1 dhe 2.2 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, të akuzuarin Pjetër Ndou prokuroria e ngarkon se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 431, par 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat