O’Brien tha se ShBA s’lejon përsëritjen e Banjskës, Pantina e quan deklaratë inkurajuese

Aktuale

O’Brien tha se ShBA s’lejon përsëritjen e Banjskës, Pantina e quan deklaratë inkurajuese

Më: 12 janar 2024 Në ora: 08:25
Shqipe Pantina

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien ka deklaruar se ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, pas ngjarjeve në Banjskë, Uashingtoni nuk do të lejojë të përsëriten.

Lidhur me këtë deklaratë, anëtarja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shqipe Pantina ka thënë se është mjaftë inkurajuese për Kosovën, për faktin që ShBA e ka mbështetur në forcimin e shtetësisë.

“Në fakt është një deklaratë inkurajuese për Kosovën për faktin se ShBA-të në veçanti mbetën të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën në forcimin e shtetësisë së saj ku përfshihet edhe forcimi i rendit dhe sigurisë. Po ashtu janë të përkushtuar që të mbështesin edhe forcat e KFOR-it të cilat janë garantuese të sigurisë dhe mbrojtje e kufijve të jashtëm”, është shprehur ajo.

Pantina më tej ka potencuar se për veprimet në Bansjkë, Serbia nuk i ka marrë ndëshkimet e merituara.

“Shpresoj se nuk do të ketë më raste të tilla si ai i Banjskës dhe sa më shpejt të zbardhet ajo çka ndodhi atje dhe ata që shkaktuan këto sulme të vendosen para drejtësisë sepse ende nuk kemi pare ndonjë veprim konkret për shkak se autorët kanë ikur në Serbi, dhe ajo nuk është ndëshkuar ashtu siç do të duhej për faktin se i ka mbështetur dhe po i mbron ata që ishin të përfshirë në këto sulme”, ka shtuar ajo.

O’Brien u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet provokuese në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ndryshe, ai ka qenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat