Stano zbulon nëse do të ketë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Zvicër

Aktuale

Stano zbulon nëse do të ketë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Zvicër

Më: 13 janar 2024 Në ora: 16:42
Foto nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq javën e ardhshme do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Por, mes tyre nuk është planifikuar të zhvillohet takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano  ka thënë se nuk ka asnjë takim trepalësh mes tyre me askënd nga institucionet e BE-së të planifikuar në Davos.

Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës në një deklaratë kanë thënë se agjenda e kryeministrit ende nuk është finale dhe se për takimet që Kurti do t’i zhvillojë në margjinat e forumit, do të dalin me një njoftim.

“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë javën e ardhshme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Sa i përket agjendës së kryeministrit atje, ajo ende nuk është finale andaj dhe për takimet të cilat do të zhvillohen në margjina të forumit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ndryshe, Forumi Ekonomik në Davos të Zvicrës do të fillojë më 15 janar dhe do të zgjasë katër ditë.

Moto e këtij edicioni të Forumit do të jetë “Rindërtimi i besimit”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat