Murati: Me raketat “Javelin”, Amerika çoi mesazh te Serbia

Aktuale

Murati: Me raketat “Javelin”, Amerika çoi mesazh te Serbia

Më: 16 janar 2024 Në ora: 18:32
Raketat Javelin

Valon Murati, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, dërgimin e armatimit “Javelin”, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e sheh si një mesazh nga kjo e fundit për Serbinë.

Kjo sipas tij tregon se ndonëse në veri mund të ketë rebelim apo edhe veprime terroriste prapa të cilave mund të qëndrojë Serbia, megjithatë Serbia ushtarakisht nuk futet në Kosovë.

“SHBA-të me dërgimin e armatimit “Javelin”, çuan mesazh… Është sinjal i dyfishtë, i vjen opinionit këtu që Kosovën nuk guxon këmba e ushtarit ta shkel, mund të kemi edhe kryengritje në veri, rebelim, mund të kemi akte terroriste, e veprime të tilla të cilat Serbia mund të qëndrojë prapa tyre, por Serbia zyrtarisht nuk futet më në Kosovë, është gabim fatal për Serbinë”, u shpreh ai.

Murati tha se do të ketë presion të shtuar për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Ai theksoi se zgjidhja ideale do të ishte përpjekja që në bisedimet me Serbinë të trajtohet çështja e Kosovës Lindore si reciprocitet.

Një tjetër mundësi për ikjen nga çështja e Asociacionit, Murati thotë se mund të jetë edhe rikthimi i çështjes së përcaktimit të kufijve në tavolinë.

“Jemi të mbështetur për muri në presionin që na bëhet për Asociacionin, mendoj që Kurti do të bëjë përpjekjeje që t’i ikë sa më gjatë implementimit të kësaj çështje. Zgjidhja, idealja do të ishte që të bëjmë përpjekje që në zgjidhjet me Serbinë të trajtohet edhe çështja e Kosovës Lindore, së paku në këtë moment si reciprocitet. Jam për t’u mos u zbatuar Asociacioni. Duhet të kemi opsion rezervë sepse kjo e vendos vendin në një pozicion të vështirë. p.sh. çështja e reciprocitetit në Kosovën Lindore apo çështja e përcaktimit të kufijve mund të rikthehet në tavolinë, me dështimin e këtij projekti. Vetë krijimi i Asociacionit është sfidë në vetvete”, shtoi më tej ai.

Murati potencon se derisa Kosova vazhdon të jetë në një proces të gjatë të bisedimeve që nuk po i shihet fundi, atëherë marrëdhëniet me shtetin fqinj sipas tij, çdo herë do të përcillen me tensione, telashe, incidente, ndonjë situatë ku duket që ka ndonjë shpresë për një zgjidhje por që shpesh herë duket që aktorët bëjnë veprime taktike më shumë për të përfituar në arenën ndërkombëtare dhe për t’ia hedhur tjetrit se sa vërtetë për të gjetur një zgjidhje.

“Prej kur ka dalë plani franko-gjerman me kornizat e gjera e deri te marrëveshjet e dakorduara, palët kanë pasur probleme të mëdha në dy pjesë të kësaj marrëveshje. Serbia ka problem të madh me pjesën se fakti që kjo marrëveshje Kosovës ia jep një pozicion tjetër ndërkombëtarë, me një mundësi të fuqizimit të saj me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nën tjetër kryeministrit tonë, është problematik kjo pjesa që lidhet me implementimin e Asociacionit. Të dy palët prej fillimit kanë bërë përpjekje që t’ia hedhin tjetrit, se si ta paraqesin tjetrin, atë problematikun që nuk është i interesuar për t’i zgjidhur problemet dhe për ta implementuar marrëveshjen. Kjo është elektorale së paku në rastin e kryeministrit tonë, ai është ngritur politikisht mbi refuzimin e bisedimeve, është ngritur dhe është shfuqizuar mbi refuzimin e Asociacionit…”, tha ai.

Po ashtu, ai u shpreh se në thelb, Asociacioni është problematik në tërësi për Kosovën nëse i njëjti do të zbatohet nga kryeministri Albin Kurti.

“Çështja është se kryeministri në pozicionin e tij, për të mos e implementuar është në rregull por cili është opsioni i tij rezervë dhe fakti që ai e ka pranuar, e vendos Kosovën në një pozicion përballë presionit të madh. Ne vazhdojmë të mos kemi një opsion tjetër rezervë se çka duam prej bisedimeve… Ky kryeministër dhe ata paraprak është dashur që Kosovën Lindore ta fusin në bisedime, është dështimi më i madh i politikës sonë. Krejt këto dinamika që ndodhin janë hapa të dy palëve, për ta shtyrë mos implementimin”, tha ai.

Sipas tij, ndonëse është parë një gjuhë shpesh herë shumë aktive e agresive në diskursin e kryeministrit dhe presidentes, në raport me Serbinë, në takime me ndërkombëtarët, megjithatë thekson faktin se se ekzistojnë edhe faktorë të tjerë.

“Kemi një problem në skenën politike dhe këtu mendoj që Kurti taktikisht e bën lojën mirë sepse skena politike dhe opsionet që janë në skenën politike nuk është se dallojnë”.

Në anën tjetër, Murati pati disa fjalë edhe për partitë opozitare, për të cilat thotë dobësia e opozitës është se nuk kanë qëndrim qoftë në aspektin përkrahës apo edhe në atë të kundërshtisë.

“Dobësia e opozitës është se nuk ka një qëndrim qoftë përkrahës apo kundërshtim të thellë, nuk është asgjë edhe nëse thua po në një periudhë të caktuar, por ka qenë në vitin 2013…Mund të tërhiqesh, këtu të gjithë nuk dallojnë shumë në zgjidhje… kryeministri është populist i jashtëzakonshëm në përpjekjet e tij për ta trajtuar sidomos çështjen e veriut…”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat