25 vite pas luftës: Drejtësia e munguar për masakrat që Serbia i kreu në Kosovë

Aktuale

25 vite pas luftës: Drejtësia e munguar për masakrat që Serbia i kreu në Kosovë

Më: 16 janar 2024 Në ora: 20:01
Masakra e Studimes

Bahrije Gërxhaliu brenda dy orëve, humbi burrin, kunatin e djalin e axhës, më dy maj të vitit 1999.

Që të tre, bashkë me familjarë të tjerë të afërt të Bahrijes, u vranë nga forcat serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë.

“Kjo masakër ndoshta mund ta konsideroj është edhe masakra më e rëndë në gjithë Kosovën, për shkak se ka ndodhur për një kohë të shkurtë. Për dy orë janë vra 116 persona, në mesin e territ, pa dritë, tmerr. Të gjithë mashkujt i kanë vra, ne me fëmijë kemi qëndru atë natë, tërë natën mbi këto viktima”, ka thënë Gërxhaliu.

Bahrijes, që pas vdekjes së burrit mbeti e vetme me pesë fëmijë të vegjël, plagën ia ka rënduar mungesa e drejtësisë në këtë rast.

“Aq ndoshta sa jemi të lënduar për të afërmit që i kemi humbë, ndoshta edhe më shumë jemi të lëndum që nuk ka drejtësi deri më sot për këto masakra që janë bërë, e posaçërisht për masakrën e Studimes. Drejtësia është e vonë, por shpresojmë që do Zoti që një ditë del në pah drejtësia. Më mirë vonë se hiç”, ka shtuar ajo.

Ajo asnjëherë nuk ka besuar që edhe një çerek shekulli pas ngjarjes, akoma do të jetë duke kërkuar drejtësi.

Sikur Studimja, pa drejtësi janë edhe shumica e masakrave dhe krimeve të tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se mosndëshkimit të këtyre krimeve iu kontribuoi edhe politika.

“Pas përfundimit të luftës në Kosovë, me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, personat apo forcat serbe, policia, ushtria janë tërhequr nga territori i Kosovës dhe ky mosbashkëpunim pas luftës u ka siguruar atyre një komoditet që të jetojnë lirshëm në Serbi”, ka thënë Alija,

Nga viti 2011 e deri më 2018, Kosova e kishte një Institut për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Megjithatë, rreth shtatë vite më parë ai u shua, për t’u rithemeluar përsëri këtë vit.

“Përveç arkivimit dhe dokumentimit të këtyre të dhënave, gjithashtu do të krijohet një databazë me rastet e krimeve të luftës dhe kështu do t’ia lehtësoj prokurorisë në ndjekjen, hetimin, e gjithashtu gjyqësorit në ndëshkimin e kriminelëve të luftës”, ka thënë Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë.

Qeveria e Kosovës emëroi në nëntor të vitit të kaluar, Atdhe Hetemin si drejtor ekzekutiv të Institutit, i cili prej asaj kohe është në proces të konsolidimit.

Synimi është që të adresohen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat