Eksperti i sigurisë: Aktualisht s’mund të ketë destabilizim të situatës në veri

Aktuale

Eksperti i sigurisë: Aktualisht s’mund të ketë destabilizim të situatës në veri

Më: 16 janar 2024 Në ora: 22:06
Drizan Shala

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala deklaron se në veri të vendit aktualisht nuk mund të ndodhë ndonjë destabilizim i situatës.

“Incidente të vogla mund të kemi, por ndonjë destabilizim të përmasave më të larta në projeksionet aktuale nuk mund të ndodhë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, deklaratat që vijnë nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti bazohen në informacionet që u janë ofruar nga institucionet e sigurisë e që janë Policia dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës.

Shala, pohon se pavarësisht kësaj Policia dhe AKI-ja kanë ndërmarrë veprimet e tyre preventive.

“Por, çka mund të thuhet është fakti se Policia dhe AKI-ja kanë ndërmarrë veprimet e tyre preventive, janë në koordinim të plotë më faktorin ndërkombëtar dhe mbi këtë bazë nuk shoh ndonjë mundësi që të kemi një përshkallëzim në masën më të lartë e cila mund të qojë në një konflikt të armatosur, por që incidente të ngjashëm mund të hasim por varësisht nga intensiteti politik dhe dëshirës së Beogradit zyrtar për ta destabilizuar rajonin”, ka shtuar ai.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se që nga viti 2021 deri më tani, Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri, kryesisht të kryera nga grupi, që sipas tij, kreu sulmin në Banjskë.

Kosova sulmin në Banjskë e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë për të.

Beogradi mohon përfshirjen në këtë ngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat