Kërcet grushti në Spitalin e Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij - arrestohet

Aktuale

Kërcet grushti në Spitalin e Gjilanit, kirurgu Luan Mustafa dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun e tij - arrestohet

Më: 17 janar 2024 Në ora: 10:07
Luan Mustafa

Konfliktet e mosmarrëveshjet mes punonjësve shëndetësorë janë të shpeshta. E në raste më të këqija, ato eskalojnë edhe në dhunë, qoftë verbale apo fizike, ndaj njëri – tjetrit, duke bërë kështu që ndërhyrja e organeve të rendit të jetë e domosdoshme. Për një rast të tillë ku dyshohet se janë përfshirë dy mjekë në Spitalin Regjional në Gjilan, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për kirurgun, Luan Mustafa, i cili është arrestuar nën dyshimet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, Arbër Morina.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

“Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjiës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor“, tha ai.

Sipas Hashanit, Mustafa është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që kirurgut t’i caktohet masa e ndalimit policor, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Kujtojmë se Mustafa nuk e ka sefte që bie në telashe me ligjin.

Vitin e shkuar ai u arrestua bashkë me anesteziologun, Halil Basha, nën dyshimet për marrje ryshfeti për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale.

Basha dyshohet se kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu Luan Mustafa dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 euro shtesë. Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.

Mustafa po ashtu ishte arrestuar edhe në vitin 2013 nga krimet ekonomike.

Ai dyshohej se i ka kërkuar dhe njëkohësisht i ka pranuar të holla (kesh) në vlerë prej 500 €, nё zyrën e tij (qendrën spitalore në Gjilan) nga një qytetar, me qëllim që ta operojë nënën e tij, e cila lëngonte nga një sëmundje në mëlçi.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Isuf Sadiku thuhet se “Luan Mustafa me datën 28 tetor 2013 në Spitalin e Gjilanit, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon dhuratë me qëllim të përfitimit për vete”.

Sipas aktakuzës “kirurgu Mustafa nga i dëmtuari Muhamet Osmani me qëllim të kryerjes së shërbimit, operimit të nënës së tij pranon para 500 euro në zyrën e tij në spitalin e Gjilanit, të cilat para i gjinden dhe i konfiskohen nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe i njëjti arrestohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat