“Qytetarët ua treguan vendin”, “dil vetë në zgjedhje, mos u kacavjerr në parti tjera” – mes përplasjeve të ashpra përfundon seanca në Kuvend

Aktuale

“Qytetarët ua treguan vendin”, “dil vetë në zgjedhje, mos u kacavjerr në parti tjera” – mes përplasjeve të ashpra përfundon seanca në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 18 janar 2024 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 16:01 më 18.01.2024
Hykmete Bajrami dhe Mimoza Kusari-Lila

S’ka kuorum, ndërpritet seanca për energjinë elektrike

Në mungesë të kuorumit ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për çmimin e energjisë elektrike.

Pas debatit rreth pesë orësh, nuk pati deputetë të mjaftueshëm në sallën plenare për ta hedhur në votim rezolutën e PDK-së, ku kërkohej ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e bllok-tarifës.

Mirëpo zyrtarët qeveritarë dhe deputetët e mazhorancës, gjatë seancës thanë se Kosova ka çmimin më të lirë energjisë në rajon.

Derisa edhe e konsideruan të domosdoshëm nevojën për mbajtjen e bllok-tarifës.

Musliu kërkon rrëzimin e Qeverisë: Me dhunë erdhën në pushtet, me dhunë duhet të shkojnë “në shtëpi”

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që përmes protestës t’i kërkojnë të drejtat e tyre.

Në Kuvendin e Kosovës, Musliu u kërkoi atyre që të bëhen bashkë kundër Qeverisë. Madje ajo u shpreh se Qeveria aktuale duhet të largohet me dhunë nga pushteti sepse sipas saj ashtu edhe i ka fituar zgjedhjet.

“Ju ka kalu koha, ju ka kalu koha duke I akuzu qeveritë e kaluara, është koha të kfilleni. Qytetarë  [të Kosovës] nëse qytetarë të Gjermanisë marrin guximin për të protestuar për të drejtat e tyre, pse ju jo. Kjo Qeveri e meriton me dhunë si ka ardhë në pushtet me dhunë të shkojë te shtëpia”, tha ajo.

Musliu tha se qytetarët e Kosovës janë varfëruar për shkak të politikave të dëmshme të Qeverisë së Kosovës.

“Po shohim tendenca për të mashtru qytetarët e Kosovës për të servuar propagandë. Ndoshta para tri viteve keni pas mundësi me i mashtru, ju kanë besu se kur të vini do bëni mrekulli. Kurse sot nuk mundeni sepse I kanë në duar faktuarat e papaguara të energjisë, edhe pak I presin fakturat e reja që do vijnë me shuma marramendëse, ata kanë hall si do ia dalin”, tha ajo.

Muja: Shumë familje s’e përballojnë, por çmimi i rrymës në Kosovë është më i ulëti në rajon

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se është e vërtetë se çmimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm për shumë familje.

Por në debatin e sotëm parlamentar për këtë çështje, Muja tha se çmimi i rrymës është më i ulëti në rajon.

“Energjia elektrike është vërtetë e papërballueshme për shumë amvisëri familjare. Ka vështirësi deri në fund, por e vërteta është që edhe në këtë vit, energjia elektrike, kostoja, është më e ulëta në rajon. 7 cent mesatarisht në një rajon ku energjia elektrike kushton 10 cent. Përjashtimi tjetër është Maqedonia, ku kushton 14 centë. E vërteta është kështu sipas Eurostatit”, tha Muja.

Duke përmendur kursimin, ai nuk u shpreh shumë i sigurtë se tarifat nuk do të rriten sërish.

“Shpresoj që ne të kursejmë edhe më tutje që t’i mbajmë tarifat më të ulëta”, tha Muja.

Qalaj: Shtrenjtimi i rrymës u bë që Nagip Krasniqi të blente rrymë nga miqtë e bashkëpartiakut të tij, Martin Berishajt

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike erdhi si shkak i keqmenaxhimit të KEK-ut nga Nagip Krasniqi, kryeshefi i arrestuar i lidhur me LVV-në.

Qalaj tha në seancën e Kuvendit se Krasniqi qëllimisht zgjodhi “dështimin” për të blerë rrymë, siç tha ai “nga miqtë e bashkëpartiakut të tij, Martin Berishaj”.

“Rritja e çmimit ndodhi për shkak të keqmenaxhimit me asetet e KEK-ut nga partiaku juaj, z. Krasniqi, i cili kishte mënjanuar sugjerimet e ekspertëve profesionalë të KEK-ut për t’i riparuar blloqet me kohë dhe në mënyrë profesionale”, tha ai.

Qalaj foli për “kontakte të dyshimta” të Krasniqit dhe Berishajt, duke iu referuar disa kontratave njëburimore.

“Gjatë qeverisjes së PDK-së, nga një situatë terri ku kemi pasë reduktime të vazhdueshme, ku sektori i energjisë subvencionohej nga taksat e qytetarëve 70-90 milionë në vit, u arrit një sukses i stabilizimit të sektorit të energjisë”, tha Qalaj.

“U investua në gjenerim, infrastrukturë të transmicionit, distribucionit dhe tregut”, shtoi ai.

Lekaj: Qeveria Kurti rriti dy herë çmimin e energjisë – riktheu gjendjen e para 20 vitesh me reduktime

Deputeti nga rëdhët e AAK’së, Pal Lekaj, ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë Kurti, Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Ai tha Qeveria Kurti për katër vjet mandat e rriti dy herë çmimin e energjisë për qytetarët dhe se riktheu gjendjen e para 20 vjeteve me reduktime.

“Është për të ardhur keq që edhe pse jemi në vitin 2024, që Kosova e ka krejt nëntokën e ka plot me qymyr, të flasim për reduktime, për cmime të larta të energjisë dhe probleme tjera që lidhen me energjinë. Kemi një qeveri që ka lanë anash sektorin e energjisë, nuk ka asnjë strategji dhe as veprime për ringjalljen e sektorit…Një Qeveri që u pagoi serbëve 115 milionë euro rrymë në kurriz të qytetarëve shtetas të Kosovës. Një qeveri që dy herë bëri rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët. Një qeveri e cila nga katër vite në pushtet, riktheu gjendjen e para 20 vjetëve me reduktime me muaj të tërë”, tha Lekaj.

Ai kritikoi edhe Ministren Rizvanolli, për të cilën tha se nuk di që ka ndonjë sukses gjatë tërë mandatit.

“Kemi një ministre të Ekonomisë që nuk e di as një sukses apo projekt që e ka nisur apo përmbyllur për tërë mandatin katër vjecar. Një ministre që anjëherë nuk ka hyrë në miniera për të vizituar punëtorët e Trepçës që punojnë 800 metra nën tokë. Një ministre që me gjasë këmba e saj ska shkelur asnjëherë në oborrin e teremocentraleve. Një ministre e cila bllokoi systemin duke lënë në grevë urie mbi 1 mijë punëtorë të Trepçës”, tha Lekaj.

Kritika pati edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji.

“Kemi një ZRRE e cila me ligj e ka obligim të mbrojë interesin e qytetarëve dhe institucioneve, e jo të bëj të kundërtën tani e disa vite. Një ZRRE e cila udhëhiqet nga njerëz të cilët më herët e kanë përkrahur pushtetin e tanishëm dhe tani punojnë në bashkëpunim dhe koordinim me shumicën parlamenatare”, tha Lekaj.

“Qytetarët ua treguan vendin”, “dil vetë në zgjedhje, mos u kacavjerr në parti tjera” – Bajrami e Kusari përplasen në Kuvend

Nënkryetarja e LDK-së, deputetja Hykmete Bajrami dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur në një diskutim në Kuvend.

Në seancën e sotme parlamentare ku po diskutohet për çështjen e faturave të energjisë elektrike, Bajrami kërkoi që të flasin deputetët e pushtetit, pasi për Kusari-Lilën tha sa s’është pjesë e LVV-së.

“Ka qenë pjesë e të gjitha qeverive në të kaluarën, ka qenë zëvendëskryeministre kur është privatizuar distribucioni dhe ka qenë anëtare e Komitetit të Privatizimit si ministre e Tregtisë atë kohë”, tha ndër tjerash Bajrami, duke iu referuar kryetares së Alternativës.

Kusari-Lila, në replikë, tha se Bajrami “shpifi”.

“Është e vërtetë që qytetarët mbajnë mend, për atë e kanë sjellë Lidhjen Demokratike në 12%. Dhe në shpifjen e saj se unë kam qenë pjesë e të gjitha qeverive, po du me i thënë veç listoji në cilat qeveri kam qenë pjesë. Përveç njërës, unë kam qenë vetëm një herë në jetën time në një mandat qeverisës ministre, ti ke qenë në tri”, tha ajo, duke shtuar se partisë LDK-së ia kanë treguar vendin qytetarët.

Bajrami, në kundërreplikë, i tha Kusari-Lilës të dalë e vetme në zgjedhje “për me e pa ku e ke vendin”.

“Zonja Kusari, unë nuk shpifi. Qytetarët e dinë shumë mirë kush je ti. Për me e pa ku e ke vendin, urdhëro, del në zgjedhje e vetme, mos u kacavjerr nëpër listat e partive tjera. Për me e pa ku e ke vendin. Ashtu të matet vendi ty dhe unë e ti matemi. Vetëm kur të dalësh vetëm, kur të dalësh me Alternativën. Tregom kush e njeh një anëtar tjetër të Alternativës?”, tha ajo.

“Nuk ka parti politike të cilës nuk iu ke kavavjerrë”, tha ndër tjerash Bajrami.

“Nivel i ulët i ministres”, “Mimoza hala po ka fytyrë”, Haki Abazi i ashpër kundër pushtetit rreth menaxhimit me energjinë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe ministren Artane Rizvanolli për gjuhë fragmentuese në Kuvendin e Kosovës. Abazi ka thënë se një nisje e tillë e sesionit pranveror të Kuvendit nuk është fare e mirë.

 “Mendoj që është një nismë jashtëzakonisht jo e mirë e këtij sesioni pranveror, dmth përsëritja e gjuhës fragmentuese nga VV-ja tregon se do të vazhdojë thellimi i mendësisë së konfliktit dhe mosrespektimit të fjalës së lirë në parlament”, ka thënë Abazi.

Ai ka thënë se gjuha e ministres Rizvanolli është e një niveli tepër të ulët profesional dhe manipulim i varfërisë energjetike dhe që s’ka të bëjë me vizion energjetik. Abazi gjithashtu ka kritikuar faktin që Rizvanolli dhe Kurti po krenohen me subvencionimin e prerjes së drujve në vitin 2024.

“Gjuha e ministres është e nivelit më të ulët profesional që mund ta dëgjojmë. Po flasim për manipulim të varfërisë energjetike dhe jo për vizitonin energjetik. Po flasim për subvencionim të blerjes së drujve në vitin 2024. Stiumulohet prerja e pyjeve dhe ministrja e kryeministri thonë se është arritje prerja e pyjeve”, ka thënë ai tutje.

Sipas Abazit, një profesor nuk mund të flasë në një mënyrë të tillë për energjinë.

“Këto janë politika të dëmshme manipuluese. S’guxon një profesor qoftë edhe i ekonomisë me folë për energjinë në këtë formë, sepse jemi në një krizë”, ka potencuar tutje.

Abazi ka pasur fjalë edhe për shefen e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lilën, duke thënë se ka fytyrë të dalë dhe të flasë për Veriun, kur tashmë kanë kaluar tri vite dhe janë shpenzuar 120 milionë euro për pagesën e energjisë së shfrytëzuar atje.

Ai ka kërkuar edhe bërjen publike të kontratës me kompaninë Elektrosever.

“Edhe sot ka Mimoza Kusari fytyrë me dalë me folë për suksese dhe pret mirëkuptim për Veriun që pas tri viteve, pas shpenzimit të 120 milionë eurove dhe me një kontratë me Elektroseverin. Bëjeni publike kontratën, ta shohim cila është marrëveshja me Elektroseverin. Pastaj flasim cili është suksesi aty. Mos u fsheh si në rastin e Komisionit Hetimor për Rezervat shtetërore”, ka thënë ai.

Abazi ka thënë se qytetarët po përballen me varfëri energjetike dhe se shteti po menaxhon me këtë varfëri.

“Qytetarët po përballen me varfëri energjetike. Këtu ka menaxhim të varfërisë energjetike. Këtu përfundon debati i aspektit politik të qasjes juj. Dua të iu kujtoj se z.Edi Rama se në vitin e parë e ka kthyer sistemin e shpërndarjes së energjisë nga CEZ tek shteti. Në vend se të vajtoni, merrni kthejeni në pronësi të shtetit monopolin natyror të shpërndarjes së energjisë elektrike. Por s’jeni të interesuar”, ka shtuar ai.

Deputeti Abazi ka thënë se në Kosovë secili sektor është keq e më keq dhe se normalisht që qytetarët e lëshojnë vendin.

“Arsim keq, shëndetësi edhe ma keq, energjetikë të mos flasim. Atëherë sigurisht që kritika e politikave të kaluara se njerëzit nuk po shohin të ardhme është thelluar edhe më shumë. Përveç se tash s’po i bartin më prej stacionit të autobusëve, por po i bartin para dyerve të tyre nëpër fshatra të Kosovës dhe po shpopullohet vendi pikërisht për shkak të mungesës dhe manipulimit të integritetit tyre që po iau bëni me kah 100 euro çdo tre-katër muaj. Shqiptarët s’kanë vdekur për bukë kurrë, por për integritet e drejtësi, patjetër që kanë me kërku jetë diku tjetër”, ka thënë Abazi.

Gashi: Kurti ia shet kilovatin për 3 centë, KEDS-i ia shet 14 centë qytetarit

Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.

Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Qeveria e Kosovës aksionar si aksionar, ia shet me 3 centë kilovatin KEDS-it, e KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit të Kosovës”, është shprehur deputeti Gashi.

Sipas tij, për Kurtin pushtetar, po e paguan faturën çdo qytetar i Kosovës.

Bajrami akuzon Rizvanollin për manipulim: Po thoni se atyre që jetojnë në Gjermani e Zvicër s’iu ngrit çmimi i rrymës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar sërish pushtetin se po manipulon me statistika. Kësaj here ajo iu drejtua ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për çmimin e energjisë elektrike.

Bajrami tha se ministrja Rizvanolli kur po deklaron se 80 përqind e familjeve në Kosovë i përdor më pak se 800 kilovat energji po i fut edhe banesat e zbrazëta.

“Thatë që mbi 80 përqind e familjeve në Kosovë shfrytëzojnë më pak se 800 kilovat energji elektrike. Ju po i fusni këtu, në këtë 80 përqindëshin edhe të gjitha njësitë e banimit që janë të zbrazëta. Në cenzusin e vitit 2011, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 29 përqind të njësive të banimit kanë qenë të zbrazëta. Këta janë njehsorë në vitin 2011 që iu vjen fatura vetëm 2 euro, sepse ajo që je duke e thënë ti është se njerëzve në Gjermani e Zvicër nuk i është ngritur çmimi. Jo se ata paguajnë atje. Prej 2011-ës deri më sot ka shumë mundësi që 50% të njësive të banimit në regjistrimin që do të bëhet këtë vit do të dalin të zbrazëta. Mos manipuloni me statistika! Jepni përgjigje pse blloqe të tëra të KEK-ut i ke jashtë funksionit. Për shkak se tregtari i energjisë elektrike në këtë vend është Martin Berishaj”, tha Bajrami.

Por, në replikë Rizvanolli e mohoi se në shifrën që e dha ajo janë të përfshira edhe këto njësi banimi.

“Statistikat që i kam cituar janë pas heqjes së konsumatorëve, të cilët nuk kanë pasë konsum gjatë këtyre muajve. Këto janë të dhëna zyrtare që janë marrë nga shpërndarësi i energjisë dhe nga furnizuesi. Nëse ju keni informata të tjera atëherë ju lutem na tregoni burimin ku po i merrni informatat më të sakta sesa këto”, tha ministrja.

Bajrami po ashtu tha se vetëm Vetëvendosje e përmend rritjen e çmimit të rrymës në vitin 2017 meqë atëherë s’e ka përmendur askush.

“Thatë që më 2017 është ngritur çmimi shumicës së qytetarëve – ju rikujtoj se nuk ka qenë çështje asnjëherë çmimi i energjisë elektrike në vitin 2017. Ju jeni ata që e përmendeni, askush asnjëherë s’e ka përmend”.

“Ka qenë e lehtë duke qenë se është shpërndarë prej 20 përqindëshi te 80 përqindëshi”.

Rizvanolli-opozitës: Me rezoluta koti s’ulet çmimi i energjisë, po doni me i mashtru qytetarët

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur rezolutë koti, Rezolutën e PDK’së për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe heqjen e bllok tarifës.

Ajo tha se me këto metoda nuk mund të ulet çmimi i energjisë dhe se opozita po tenton t’i mashtrojë qytetarët.

“Sikur të ishit të interesuar vërtetë të diskutonit në nivel profesional për çështje të rregullimit dhe nga kanë ardhur kostot dhe si janë shpërndarë kostot, ju do ta ftonit ZRRE’në dhe do të bisedonit në nivel profesional për këto çështje. Mirëpo, ju nuk e keni këtë interesim, ju me rezoluta koti populliste, me metoda të cilat nuk ulet çmimi i energjisë, doni me i mashtru qytetarët që mundeni me ul çmimin e energjisë elektrike”, deklaroi Ministrja.

Duke folur për propozimin e PDK’së për heqjen e bllok tarifës, Rizvanolli tha se me heqjen e bllok tarifës do të uleshin faturat për 4 mijë e 700 shtëpi, por se do të rriteshin faturat për shumicën e qytetarëve.

“Heqja e bllok tarifës do të thotë ulje e faturave për 4 mijë e 700 shtëpi që shpenzojnë shumë, por do të thotë rritje e faturës për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Kjo është diçka që e kemi parë, e kemi provuar gjatë qeverisjes tuaj”, tha ajo.

Ajo tha se kjo është vërtetuar në vitin 2017, gjatë qeverisjes LDK-PDK.

“Në vitin 2017 kur LDK dhe PDK me insistim dhe ndërhyrje politike, kanë ndërhyrë në ZRRE për ta hequr bllok tarifën, 80 përqind e familjeve kanë pasur rritje të konsumit të energjisë, ndërsa 20 pëqindëshi që kanë shpenzuar më shumë, vetëm ata kanë pasur ulje. Kjo është çfarë do të ndodhte, këto janë shifrat Pikërisht është kjo heqje e bllokut që na ka sjellë deri te eskplodimi i kërkesës për energji në masa jonormale, pa nxitje të eficiencës”, tha Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat