Ugljanin: Në Mitrovicë të Veriut janë arritur nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e Atiqit

Aktuale

Ugljanin: Në Mitrovicë të Veriut janë arritur nënshkrimet e nevojshme për shkarkimin e Atiqit

Më: 19 janar 2024 Në ora: 07:43
Erden Atiq

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se grupi iniciues serb ka arritur numrin e duhur për dorëzimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai thotë se qytetarët serbë gjatë ditës kanë nënshkruar peticionin grupe-grupe, ku janë mbledhur mbi 4 mijë nënshkrime.

“Kanë arritur numrin e duhur sipas informatave që i kemi nga terreni edhe nesër do të mbledhin deri në pasdite edhe sigurisht që do të dorëzojnë mas pari në Mitrovicën e Veriut, por edhe në Leposaviq peticionin. Sipas informatave, në mënyrë të organizuar dje ka shkuar procesi, kurse tani përmes kritikave që i kemi dhënë përmes mediave që janë detyruar e kërcënuar që institucionalisht që të dalin në peticion. Sot e kanë ndërruar mënyrën e daljes edhe janë dalë nëpër grupe të caktuar 3 deri në 4 persona”, tha ai.

Ai tha se numri i nënshkrimeve ka arritur në 4 mijë dhe se sot pritet që ta dorëzojnë peticionin në Kuvend Komunal.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në komunat përkatëse.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që peticioni të jetë i suksesshëm, që më pas do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve, në Mitrovicë të Veriut duhet të mblidhen të paktën 3.640 nënshkrime, në Leposaviq 2.689, në Zubin Potok 1.347 dhe në Zveçan 1.411 nënshkrime.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar javën e kaluar se qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok kanë afat që deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet. Ndërkaq, ky afat do të jetë më i gjatë për pesë ditë për qytetarët e Zveçanit, pasi që në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të marrë listën me numrin e saktë të votuesve të regjistruar në këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat