Torres: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga SHBA-ja

Aktuale

Torres: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga SHBA-ja

Më: 20 janar 2024 Në ora: 08:39
Ritchie Torres

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë që ai është esencial dhe duhet të vazhdojë.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Torres ka thënë se sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë një rol aktiv dhe duhet ta udhëheqin dialogun.

“Unë vërtet besoj që SHBA-ja është udhëheqëse e botës së lirë dhe ka një rol aktiv në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dialogu është esencial dhe që duhet të vazhdojë dhe duhet të udhëhiqet nga SHBA-ja”, ka thënë ai.

Kongresisti Torres ka adresuar edhe një varg kritikash kah BE-ja, të cilën e ka akuzuar edhe për anshmëri.

Sipas tij, është fundamentalisht e padrejtë që BE-ja ta dënojë me masa ndëshkuese Kosovën dhe jo Serbinë.

“Ky është një mister edhe për mua, kur në këtë formë BE dënon Kosovën dhe jo Serbinë. Kjo më duket fundamentalisht e padrejtë. Serbia është anëtare e Partneritetit për Paqe, kurse Kosova është e përjashtuar. Kosova është e radhitur krah BE-së, kurse Serbia me Rusinë. Qartazi mendoj se është zhgënjim që BE-ja është treguar e njëanshme ndaj Kosovës”, ka thënë Torres.

Torres ka thënë se sjellja e BE-së është storie më vete të cilën s’mund ta shpjegojë.

Ai është shprehur se BE-ja ka qenë më e ashpër me Kosovën e cila është e radhitur krah bllokut evropian, sesa ndaj Serbisë e cila qëndron më afër Rusisë.

“Bashkimi Evropian ka qenë më i ashpër ndaj Kosovës, sesa ndaj Serbisë. Derisa Kosova është e radhitur në krah të BE-së, Serbia është më afër Rusisë. Sjellja e BE-së është një storie më vete dhe nuk mund ta shpjegoj. Por Kosova duhet të trajtohet me më shumë respekt, sepse është një aleat më i mirë. Serbia ka treguar se përzihet në punë të brendshme të Kosovës duke bashkëpunuar me njerëz që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat