IKD: Kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës kundërligjshëm këmbyen pronën publike

Aktuale

IKD: Kryetari dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës kundërligjshëm këmbyen pronën publike

Më: 20 janar 2024 Në ora: 10:16
Komuna e Prishtinës

Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se Kuvendi Komunal i Prishtinës kundërligjshëm ka marrë vendim për këmbimin e pronës Komunale në Zonën Kadastrale në Çagllavicë me pronat e dy personave fizik në Zonën Kadastrale Zllatar, të cilit vendim i ka paraprirë propozimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Sipas IKD-së, vendimi i nxjerrë nga Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës korrespondon plotësisht me përmbajtjen e propozim vendimit të Kryetarit të Komunës.

“Ky vendim është nxjerrë pa u zhvilluar asnjë konsultim publik dhe pa u përmbushur kërkesat ligjore. Pos që nuk pati konsultime publike, vendimi i Kuvendit Komunal i nxjerrë sipas propozimit të Kryetarit të Komunës nuk sqaron se, saktësisht, cili është interesi i Komunës që të jap pronën në Zonën Kadastrale në Çagllavicë për të marrë pronën në Zonën Kadastrale në Zllatar, në të cilën tanimë është ndaluar ndërtimi”, thuhet në reagimin e IKD-së.

“Ligji NR. 06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës (Tutje: Ligji) në nenin 24 ka përcaktuar kushtet për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës. Fillimisht, ky nen ka përcaktuar se prona mund të këmbehet vetëm për qëllime të përmbushjes së interesit publik, gjersa vendimi i nxjerrë nuk e sqaron se cili është interesi publik në këtë rast. Veçanërisht, mbetet e paqartë për publikun se si mund të konsiderohet interes publik realizimi i planit rregullues ‘Prishtina e re – Zona Qendër’, gjersa është pikërisht kjo pronë që jepet në këmbim të një prone që s’ka të bëjë me këtë pjesë”, thuhet më tej.

IKD shton se sipas Ligjit, Kryetari i Komunës obligohet që paraprakisht të sigurojë raport zyrtar të vlerësimit se nuk ekzistojnë prona tjera të komunës të përshtatshme për këtë qëllimin që synohet të arrihet.

“Ky raport, apo të paktën sqarime për të, nuk janë pjesë e vendimit të nxjerrë nga Kuvendi Komunal. Tutje, neni 25 i Ligjit ka përcaktuar procedurën e këmbimit të pronës publike me persona fizik apo juridik, e cila procedurë iniciohet nga komuna apo palët e interesuar dhe përfundon me vendim të Kuvendit Komunal. Kështu, vendimi i Kuvendit Komunal është akti i fundit në kuadër të kësaj procedure. Për këtë arsye, sipas Ligjit, nuk qëndron arsyetimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës se “…vendimi i Asamblesë nuk këmben 8 hektarë dhe tërë parcelën 20 hektarëshe…”. Kjo pasi sipas Ligjit, është vendimi i Kuvendit Komunal që këmbën pronat dhe jo vlerësimi i Ministrisë së Financave. Me rastin e nënshkrimit të kontratës, Kryetari i Komunës obligohet ti përmbahet vendimit të Kuvendit Komunal dhe jo vlerësimit të Ministrisë së Financave, të cilin do duhej ta merrte paraprakisht. Praktika paraprake e kundërligjshme në këtë fushë nuk e përligjë këtë vendim”, shton IKD-ja.

IKD i bënë thirrje Kryetarit dhe Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës që të ndalin praktikat e kundërligjshme të këmbimit të pronave pa zhvilluar konsultime publike dhe pa respektuar dispozitat ligjore.

Në anën tjetër, Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi njofton se është duke shqyrtuar të gjitha rrugët ligjore për atakimin e këtij vendimi në Gjykatë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat