Promovohet libër në përvjetorin e vdekjes së Rugovës, Abdixhiku: Ishte prijësi historik i popullit

Aktuale

Promovohet libër në përvjetorin e vdekjes së Rugovës, Abdixhiku: Ishte prijësi historik i popullit

Më: 21 janar 2024 Në ora: 13:27
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se ai la pas vete një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike.

Abdixhiku thekson se në ambientet e shkollës politike promovuan librin “Pushteti dhe intelektualët” të botuar nga fondacioni “Ibrahim Rugova”.

“Ibrahim Rugova, “ishte më shumë se njeri, ai ishte një epokë” do të thoshte një Viktor Hygo i yni, siç kishte thënë ky shkrimtar për Volterin në njëqindvjetorin e vdekjes së këtij filozofit dhe mendimtari të madh. Në të vërtetë, Rugova ishte një epokë dhe pas vete la një trashëgimi të pasur intelektuale dhe një trashëgimi politike, me rezultate të papërsëritshme e monumentale”, shkroi Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.

“Ati themeltar i shtetit të Kosovës, prijësi historik i popullit të Kosovës, themeluesi i Lidhjes Demokratike, formacionit të parë pavarësist; bartësi i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, iku në amshim sot 18 vite më parë. Pas vete la një trashëgimi epokale, që sot na shërben si udhërrëfim kombëtar”.

“Në këtë ditë, së bashku me zonjën Fana Rugova dhe anëtarë të familjes, në ambientet e Shkollës Politike, promovuam librin ‘Pushteti dhe intelektualët’ të botuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova””.

Ai theksoi se fondacion tashmë ka bërë një traditë në fushën e botimeve, duke u kujdesur, që ta ruajë, ta kultivojë dhe ta përcjellë tek breznitë e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar si një trashëgimi tejet e vlefshme, bazike, për të njohur Kosovën e djeshme dhe për t’u shërbyer prej saj për të ndërtuar Kosovën e nesërme.

“Ky libër, ka këtë funksion, dhe sikur vepra në tërësi e Presidentit Ibrahim Rugova, na kujton profilin e lartë të politikanit intelektual dhe intelektualit politikan, dhe na thërret të mendojmë sa të rëndësishme janë këto dy kategori kur bëhen një zë”.

Abdixhiku në fund potencoi se para promovimit, me bashkëpunëtorë, vendosën lule tek varri i presidentit.

“Nga aty, vizituam familjen Rugova, për të ndarë jo vetem dhimbjen për ikjen e Presidentit, por dhe gjithë krenarinë për trashëgiminë e tij!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat