“Pushteti dhe Intelektualët” libri që zbulon profilin e Ibrahim Rugovës

Aktuale

“Pushteti dhe Intelektualët” libri që zbulon profilin e Ibrahim Rugovës

Më: 21 janar 2024 Në ora: 14:10
Lumir Abdixhiku.

Në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, është promovuar libri “Pushteti dhe Intelektualët”, ku u tha se janë përmbledhur intervistat e viteve 1969-2005, e ku zbulohet profili i Rugovës si intelektual, mendimtar i madh dhe atdhetar.

Libri është promovuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”, fondacion ky të cilin e lavdëroi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, ky libër zbulon profilin e tij prej një intelektuali dhe atdhetari të madh, se si nga Parisi sillte në Prishtinë, idetë pluraliste e demokratike.

Abdixhiku: Rrugëtimi i Rugovës nuk është rrëfim për të djeshmen e Kosovës, por shtegdalje e së nesërmes

“Fondacioni ynë, tashmë ka bërë një traditë në fushën e botimeve, duke u kujdesur që ta ruaj, ta kultivoj dhe ta përcjell tek brezat e reja, mendimin politik, letrar e kulturor të Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar si një trashëgimi tejet të vlefshme, bazike për të njohur Kosovën e djeshme dhe për të shërbyer prej saj për të ndërtuar Kosovën e nesërme... Rrugëtimi i vështirë, por i kujdesshëm i presidentit Rugova, nuk është vetëm një rrëfim për të djeshmen e Kosovës, për historinë tonë, por më shumë shtegdalje drejt së nesërmes, një mundësi e mirë për të sotmen, për të kuptuar si ecet me vetëdije nga e ardhmja më pozitive dhe progresive... Ky libër na zbulon profilin e tij prej një intelektuali dhe atdhetari të madh, na tregon se si nxënësi i Parisit të Francës, sillte në Prishtinë idetë pluraliste e demokratike, admironte kulturën autoktone dhe fliste me pozitivitet për të,” tha Abdixhiku.

Profesori dhe studiuesi, Muhamet Hamiti tha se libri përmbledh intervistat e viteve 1969-2005, por mbizotërojnë vitet e 70-ta dhe 80-ta, sepse ka qenë një veprimtari intensive.

Hamiti: Libri përmbledh intervistat e viteve 1969-2005

“Përmbledh intervistat e viteve 1969-2005, por që natyrshëm e mbizotëron vitet 70 dhe 80, sepse ka qenë veprimtari intensive, diturore e Rugovës e asaj kohe... Libri “Pushteti dhe Intelektualët “ strukturon gjashtë kapituj për të dhënë një ide”, shtoi ai.

Ndërkaq, profesori Ndue Ukaj tha se libri paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme si lexues, studiues e nismëtar të ideve letrare, kulturore dhe shoqërore.

Ukaj: Përmes librit mund të kuptojmë si u zhvillua poeti Rugova dhe u bë kritik dhe mendimtar i madh

“Libri ka vlerën e vet, sepse na paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme si lexues, studiues e nismëtar të ideve letrare, kulturore e shoqërore. Përmes këtij libri na dëshmohet edhe një herë se Rugova ishte intelektual me formim të mirëfilltë dhe përmes tij mund të kuptojmë më mirë si u zhvillua poeti Rugova dhe u bë kritik dhe mendimtar i madh,” vijoi Ukaj.

Ish-Presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat