“Presidenti Rugova bëri historinë edhe duke ia zgjatur dorën Thaҫit e Haradinajt”/ Haki Abazi përmend njerëzit e mëdhenj që e mbështetën atë

Aktuale

“Presidenti Rugova bëri historinë edhe duke ia zgjatur dorën Thaҫit e Haradinajt”/ Haki Abazi përmend njerëzit e mëdhenj që e mbështetën atë

Nga: H.O. Më: 21 janar 2024 Në ora: 19:53
Arkiv: Presidenti Ibrahim Rugova, Hashim Thaci/ Foto e publikuar nga Haki Abazi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka kujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova në 18 vjetorin e vdekjes së tij.

Abazi në një postim të tij në facebook ka thënë se presidenti Rugova ka bërë historinë edhe duke ia zgjatur dorën Hashim Thaҫit e Ramush Haradinajt.

Ai përmend më tutje gjithë njerëzit që e mbështetën dhe e besuan deri në vdekje, duke ia shtuar vlerën atij.

Sipas tij, Presidenti Rugova ishte dhe do të mbetet edhe fanari i demokracisë dhe çlirimit ashtu siç do mbetet Adem Jashari simboli i heroizimit dhe sakrificës sublime për çlirimin e vendit dhe kombit tone.

Postimi i plotë:

President Ibrahim Rugova ka bërë historinë më të ndritshme të shqiptarëve duke i zgjatur dorën edhe Hashim Thaçit edhe Ramush Haradinaj. Ai ka parandaluar vrasjen mes shqiptarëve pas luftës por mbi të gjitha me mençurinë dhe urtësinë e tij, ai në të gjitha fazat e shpërbërjes së Jugosllavisë ka hapur dyert e gjithë botës që ata të shihnin dhe dëgjonin për fatin e popullit shqiptar dhe tokave të tyre që padrejtësisht janë lënë jashtë kufinjëve të Shqipërisë Londineze!

Por ajo që shpesh nuk përmendet e që është qenësore, është aftësia e tij të jetë i rrethuar nga njerëzit më të mirë e më të përgaditur, e patriot të kohës. Rugova e ka dashur popullin, jo për të manipuluar me të, por për t’a çliruar atë dhe për t’a korrektuar historinë e gabuar evropiane.

Presidenti Rugova është figurë historike e përmasave të Gandit, Mendelës, Havellit. I papërsëritshëm në formën dhe konceptin e tij unifikues nga brenda dhe efektiv, e i pakompromis në formën e diplomacisë botërore.

Por, vlera e tij më e madhe janë njerëzit që e rrethuan, e mbështetën dhe besuan, disa edhe deri në vdekje: Fehmi Agani, Xhemajl Mustafa, Mark Krasniqi, Jusuf Buxhovi, Zekeria Cana, Anton Çetta, Idriz Ajeti, Enver Maloku, Edi Shukriu, Fatmir Sejdiu, Smajl Hajdaraj, Ukë Bytyçi, Shaban Manaj, Faruk Spahija, Fadil Ferati, Hasan Abazi, Sanije Aliu, Xhavit Ahmeti, Eqrem Kryeziu, Aqif Shehu, Hebib Shehu, Lutfi Haziri, Ali Sadriu, Adem Salihu…( kërkoj falje për ata që nuk arrijë të përmend).

Këta patriotë poashtu të mbështetur nga qindra e mijëra njerëz, patriotë që asesi nuk mund të përmenden me emër këtu, por janë dhe do të mbetën pjesë e historisë së ndritur të çlirimit të tokës dhe kombit tonë. Po këta, shumica e tyre kanë qenë mbështetësit dhe pjesëmarrës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bashkë e pa asnjë dallim e kursim mbështetën luftën deri në fund.

Çlirimi u bë, UÇK dhe NATO bashkë në luftën e drejtë dhe kauzën më të madhe të lirisë janë në vijën e vlerave më të drejta që njef njerëzimi - LIRIA.

Presidenti Rugova ishte dhe do të mbetet edhe fanari i demokracisë dhe çlirimit ashtu siç do mbetet Adem Jashari simboli i heroizimit dhe sakrificës sublime për çlirimin e vendit dhe kombit tonë! Ne na mbetët të kujtojmë e luftojmë për unitet, vërtetsinë historike dhe për të qenë të sinqertë në rrugëtimin tonë në përmbushjen e synimeve si komb që luftoi gjatë për lirinë dhe demokracinë dhe prodhoi lider të mëdhenjë gjatë gjithë historisë.

Ora e parë e mësimit të hënën që po vije duhet kushtuar jetës dhe veprës së Presidentit Historik Ibraim Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat