Kearns falënderon Cameronin që ndau njohuritë e qeverisë britanike për terrorizmin e 24 shtatorit

Aktuale

Kearns falënderon Cameronin që ndau njohuritë e qeverisë britanike për terrorizmin e 24 shtatorit

Më: 22 janar 2024 Në ora: 10:10
Foto ilustrim

Shefja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, falënderoi Sekretarin e Jashtëm, David Cameron, i cili gjatë raportimit para ligjvënësve britanikë, ndau njohuritë e ekzekutivit për sulmin e paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me shumicë serbe fundjavën e 24 shtatorit të vitit të kaluar.

“Jam e kënaqur që Sekretari i Jashtëm u rikthye para komitetit për të folur mbi njohuritë e plota të qeverisë britanike për sulmin terrorist, të cilin ai me të drejtë e quajti një ‘ngjarje rrëqethëse’.

Gjithashtu, duhet të mbahen shënime për ashpërsinë e armëve të rënda që ishin planifikuar të shpërndaheshin për sulmin terrorist që u parandalua guximshëm nga Policia e Kosovës”.Siguria në Ballkanin Perëndimor është interes nacional i Britanisë së Madhe, kishte thënë shefi i diplomacisë britanike në një deklaratë për agjencinë britanike të lajmeve “Reuters” në fillim të janarit, ndërsa duke iu referuar terrorizmit të paramilitarëve serbë, shtoi se ajo që ndodhi më 24 shtator 2023 në pjesën veriore të Kosovës ishte shumë shqetësuese.

“Ajo që ka ndodhur në shtator mendoj se ishte ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ta parandalojmë dhe ta luftojmë nëse ndodh sërish”, nënvizoi ai në një deklaratë pas një vizite që u kishte bërë ushtarëve britanikë të Forcës së NATO-s (KFOR) që shërbejnë në Kosovë.

Vizita e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe erdhi në një kohë sfiduese për vendin. Cameron siguroi mbështetje të madhe për Kosovën, duke garantuar se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën përgjatë proceseve nëpër të cilat është duke kaluar, sikurse brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat