Pjesëtarët e Policisë do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë

Aktuale

Pjesëtarët e Policisë do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë

Më: 23 janar 2024 Në ora: 14:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Nga 1 shkurti pjesëtarët e Policisë së Kosovës në kryeqytet do të kenë shërbime falas në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.

Kështu tha sot në një deklaratë për media drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku pas një takimi që pati me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sadiku tha se gjatë takimit me Hoxhën e ka njoftuar për të gjitha shërbimet që do t’i marrin falas pjesëtarët e Policisë në Prishtinë.

Qëllimi i këtij takimi është që ta njoftojë komandantin e Policisë së Kosovës për vendimin e Asamblesë komunale të Prishtinës, për lirimin e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga shërbimi që do t’i kenë në shërbimin parësorë shëndetësorë. Ne e njoftuam komandantin se cilat janë shërbimet që ofrojmë ne për pjesëtarët e PK-së. Ne e kemi njoftuar drejtorin e Policisë në detaje dhe sigurisht që ky bashkëpunim nga 1 shkurti  do të përcjellin një mesazh tek të gjitha ambulancat tona dhe shërbimet që i japin qendrat e shëndetit parësorë në Prishtinë…”, ka thënë Sadiku.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha ka thënë se policët që jetojnë në Prishtinë do t’i shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar Komuna e Prishtinës.

“U njoftuam për vendimin e Asamblesë Komunale të Prishtinës, normalisht që është një vendim i drejtë dhe i mirëpritur nga PK-ja. Ne do të njoftojmë të gjithë policët e Kosovës që jetojnë në Prishtinë që t’i shfrytëzojnë këto shërbime që i ka ofruar falas kryeqyteti. Po shpresojmë të kemi policë të shëndetshëm dhe të kemi policë të gatshëm në shërbim të qytetareve të Prishtinës dhe gjithë atyre që jetojnë këtu”, tha Hoxha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat