​Ministri çek: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun

Aktuale

​Ministri çek: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun

Më: 24 janar 2024 Në ora: 14:00
Martin Dvorak

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se procesi i dialogut duhet të ndahet nga ai i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Në konferencën e përbashkët me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, Bislimi ka përsëritur kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese. Megjithatë, ministri çek tha se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është i lidhur ngushtë me dialogun.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se në takimin me ministrin për Çështje Evropiane të Çekisë kanë biseduar për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Bislimi: Procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës

"Kemi biseduar për masat aktuale kundrejt Republikës së Kosovës, që punojnë kundër përpjekjeve të BE-së për të mbyllur zbrazëtirën dhe për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian. Është pozita jonë që masat duhet të hiqen sa më shpejt që është e mundur, por më e rëndësishmja procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës që fokusi të kthehet tek aspiratat e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian. Kosova ka 94 për qind mbështetje të qytetarëve për integrim në BE e meriton të marr statusin e vendit kandidat”, deklaroi Bislimi.

Tutje, zëvendëskryeministri Bislimi teksa komentoi deklaratat e BE-së për ndërhyrje në drejtësi, ai tha se duhet të ketë zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.

Bislimi: Kushtetuta ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet

“Kushtetuta e Kosovës ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet. Nuk ka logjikë në njërin rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta të implementohet në tërësi siç është rasti i tokës për manastirin e Deçanit, pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking. Nëse duhet të bëjmë cherry picking, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, shtoi Bislimi.

Sa i përket masave, ministri çek Dvorak deklaroi se Çekia është aleati më i afërt për Kosovën. Ai tha se ka shume për të bërë dhe se janë të gatshëm të ndihmojnë me detyrat e shtëpisë të Kosovës.

Dvorak: Kosova është nën presion për të treguar pikëpamjen e saj konstruktive në procesin e dialogut

"Çekia është gjithmonë aleati më i afërt i Kosovës në ambiciet evropiane. Dhe ne vërtetë duam që të shohim Kosovën në BE sa më shpejt që është e mundur. Në anën tjetër që ka shumë për tu bërë. Ne jemi të gatshëm që të mbështesim vendin por ndoshta edhe të ndihmojmë pak më shumë me detyrat e tuaja të shtëpisë. Dhe nuk më pëlqen që ta them hapur por më duhet ta them se Kosova është nën presion për të treguar pikëpamjen e saj pozitive dhe konstruktive ndaj dialogut me Serbinë. Dhe përveç kësaj, unë e di shumë mirë që Kosova është duke bërë më të mirën e saj por unë ende besoj se kjo është mënyra më e mirë se si të jemi më afër BE-së”, theksoi ministri çek.

Ai shtoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është i lidhur me ngushtë me dialogun

Dvorak: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun

"Çekia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mik i afërt për Kosovën. Një shprehje e miqësisë përfshin të qenit i hapur dhe i sinqertë. Për integrimet e mëtutjeshme të Kosovës në BE janë të lidhura ngushtë me dialogun me Beogradin. Pyetja e mbylljes së fqinjësisë së mirë dhe procesit të integrimit evropian kanë të bëjnë me gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç progreson Kosova në rrugën e saj drejt integrimeve në BE, Çekia përkujton duke ofruar mbështetje udhëzues dhe duke ndihmuar që Kosova të arrijë qëllimet e saja evropiane”, përfundoi ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat