“Te ne e kemi edhe Kanunin”: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt, dyshohet për kanosjen e presidentes Vjosa Osmani

Aktuale

“Te ne e kemi edhe Kanunin”: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Gjergj Dedajt, dyshohet për kanosjen e presidentes Vjosa Osmani

Më: 24 janar 2024 Në ora: 17:14
Gjergj Dedaj

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigje.

Sipas Kodit Penal, neni 181 paragrafi 1, Dedaj mund të dënohet me gjobë ose gjashtë muaj burgim për kanosje. Kurse, sipas paragrafit 3 dënimit mund të jetë nga gjashtë muaj deri në 5 vjet burgim.

“Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, kishte thënë Dedaj.

Media ka tentuar të kontaktojë me Dedajn por që ai nuk është përgjigjur.

Pas deklaratave të tij, kishte pasur denoncim publik nga kabineti i presidentes Osmani.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, ishte deklaruar në emisionin Frontal pasi ia kishin marrë tabelat e veturës zyrtare dhe pas shkarkimit nga pozita e ambasadorit.

Dedaj kishte folur për presidenten Osmani edhe në Hagë.

“Gjatë luftës në radhë të parë kam qenë organizator i të gjitha demonstratave kundër kriminelit e kasapit të Ballkanit, Millosheviq, kam organizuar në Prishtinë 60 demostrata. Me sensibilizu popullin e Kosovës, me u solidarizu me UÇK-në, me i bërë thirrje NATO-s me u solidarizu me popullin e Kosovës. Në vitin 1998 kemi mbajtur një palë zgjedhje që kanë qenë të diskutueshme, që vetëm të kemi adres me pas me kënd me bisedu. Partia Liberale në ato zgjedhje ka fituar 6 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe jam zgjedhur njëri nga nënkryetarët. Në vitin 2004 kam fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, kam qenë zv/ministër në disa dikastere, zv/ministër i jashtëm, dhe së fundmi kam qenë ambasador i Republikës së Kosovës që jam larguar dhunshëm dhe brutalisht nga e ashtuquajtura presidente Osmani për qëllime politike sepse në vend timin e ka dërguar burrin e saj”, tha Dedaj në seancën e Hagës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat