Prokuroria kërkon dënimin e dy të akuzuarve për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj

Aktuale

Prokuroria kërkon dënimin e dy të akuzuarve për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj

Më: 25 janar 2024 Në ora: 16:50
Gazmend Halilaj

Prokurorja Bukurije Gjonbalaj ka kërkuar që të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Fillimisht, prokurorja Gjonbalaj fjalën e saj përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ushtruar ndaj të akuzuarve Zeqiri dhe Lushtaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, nga provat e siguruara gjatë hetimit dhe provat e administruara gjatë shqyrtimeve gjyqësore, është vërtetuar në tërësi se të pandehurit kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë dhe se në këtë çështje nuk ka asgjë kontestuese.

Prokurorja Gjonbalaj ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe se me rastin e matjes së dënimit, gjykata të ketë parasysh si rrethanë rënduese këmbëngulësinë dhe dashjen e të akuzuarve për të kryer këtë vepër penale.

Kurse, i dëmtuari Halilaj, gjatë dhënies së fjalës së tij përfundimtare tha se prokuroria ka arritur të sigurojë provat dëshmuese dhe materiale, duke respektuar një procedurë strikte ligjore. Ai tha se nuk parashtron kërkesë pasurore-juridike.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Lushtaku, avokati Tahir Rrecaj, tha se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim.

Rrecaj tha se pretendimi i prokurorisë se tentim vrasja e të dëmtuarit është bërë për qëllime të hakmarrjes, është krejtësisht i bazuar në supozime dhe thashetheme, sepse me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar ky fakt.

Avokati ka propozuar që dy të akuzuarit të lirohen nga akuza për tentim vrasje dhe eventualisht sa i përket të mbrojturit të tij, tha se mund të ketë elemente të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, pasi që ia ka shkaktuar të dëmtuarit disa lëndime.

Kurse, sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje dhe për dëmtim të pronës, avokati Rrecaj ka propozuar që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim me gjobë unik për të dy veprat penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhelal Zeqiri, avokati Jeton Maqedonci e ka mbështetur deklarimin e avokatit Lushtaku, duke marrë parasysh se të akuzuarit ngarkohen se veprën penale e kanë kryer në bashkëkryerje.

Ai ka konsideruar se nuk është vërtetuar me asnjë element kryerja e veprës penale dhe se gjykata do të vlerësojë drejt.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuari ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë, është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Më 28 tetor 2020, Lushtaku si dhe i akuzuari Zeqiri e kishin pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, derisa ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Ibrahim Lushtaku nuk e kishte e pranuar fajësinë as për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Në aktakuzë thuhet se, me të parë Halilajn, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta, e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment ky i fundit kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë. Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se sipas aktakuzës, i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2 mijë e 700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të “asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Crvena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat