Kurti në takim me Pendarovskin diskuton për projektin e rrugës Prizren – Tetovë

Aktuale

Kurti në takim me Pendarovskin diskuton për projektin e rrugës Prizren – Tetovë

Më: 25 janar 2024 Në ora: 17:40
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte ka pritur në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ata fillimisht zhvilluan një takim kokë më kokë para takimit dypalësh ndërmjet delegacioneve zyrtare.

“Dy vendet dhe shtetet tona i dëshirojnë më të mirën njëra-tjetrës dhe kanë komunikim dhe bashkëpunim të mirë si në aspekt institucional, ashtu edhe në nivel të shoqërive tona”, ka thënë kryeministri Kurti në fillim të takimit.

Ai e ka falënderuar presidentin Pendarovski dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi, dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë, për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.

U fol edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të komunës së Zveçanit.

Me këtë rast, kryeministri falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedoninë e​ Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it.

Presidenti Pendarovski ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut përveç marrëdhënieve shumë të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike, dhe se ajo është e gatshme që t’i ndajë me Kosovën përvojat e saj sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimin në NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat