Shkarkimi i katër kryetarëve në veri, KQZ nis verifikimin e nënshkrimeve

Aktuale

Shkarkimi i katër kryetarëve në veri, KQZ nis verifikimin e nënshkrimeve

Më: 29 janar 2024 Në ora: 15:26
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se lista me nënshkrimet e mbledhura në këto katër komuna do të verifikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse”, deklaroi ai.

Tutje, Elezi bëri të ditur se ky proces do të zgjasë dhe se nuk mund të japin ndonjë datë se kur do të përfundojë.

“Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, theksoi ai.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticionet për largimin e katër kryetarëve janë nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat