​Octopus jep 10 arsyet pse dinari nuk duhet të jetë i vlefshëm në Kosovë në formë të paligjshme

Aktuale

​Octopus jep 10 arsyet pse dinari nuk duhet të jetë i vlefshëm në Kosovë në formë të paligjshme

Më: 31 janar 2024 Në ora: 12:14
Foto ilustrim

Hulumtuesi në Institutin Octopus, Gurakuç Kuçi ka renditur 10 arsyet se pse dinari nuk duhet të jetë i vlefshëm në Kosovë në formë të paligjshme.

Sipas tij, Kosova e ka marrë këtë vendim si pjesë e masave gjithëpërfshirëse për parandalimin e krimit dhe i njëjti ka për qëllim kontrollin më të mirë të parasë dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, siç është rasti i terroristëve në Banjska.

“Me kufizimin e pagesave në valuta të tjera, si dinari në këtë rast, Serbia përballet me vështirësi më të mëdha në financim, jo të pamundura por jo aq lehtë sa më parë. Shumë kanale financimi ishin të hapura dhe ky vendim ndihmon në frenimin e aktiviteteve të tilla”, ka shkruar ai në X.

Shkrimi i plotë i tij:

10 Arsyet pse dinari nuk duhet të jetë i vlefshëm në Kosovë në formë të paligjshme

1. Bota aktualisht po përjeton paqëndrueshmëri, me përplasje që përshkallëzohen dita-ditës. Sfera e ndikimit të Rusisë po përdor metoda jokonvencionale për të nxitur destabilitet. Lufta hibride përmes sistemit monetar është tashmë e dukshme, me Rusinë që financon terrorizmin përmes një monedhe që nuk kontrollohet as nga Perëndimi dhe as nga Kosova, që ndodh përmes parave cash dinar. Kina po infiltron gjithashtu përmes Iniciativës ‘Belt and Road’ (BRI).

2. Vendimi bie në kuadrin e ligjeve të Republikës dhe është çështje e brendshme. Ajo kurrë nuk ka qenë pjesë e dialogut dhe përpjekja për ta bërë këtë tani do favorizonte Serbinë në destabilizimin e Ballkanit përmes përdorimit të luftës hibride.

3. Kosova e ka marrë këtë vendim si pjesë e masave gjithëpërfshirëse për parandalimin e krimit. Së fundmi, ajo ndaloi përdorimin e monedhës 500 euro, që hyri në fuqi nga 1 shkurti dhe ka ndërmarrë hapa kundër shpërndarjes masive të monedhave të falsifikuara, të cilat potencialisht mund të futen në treg nga Serbia përmes luftës hibride.

4. Vendimi për të pasur vetëm një monedhë në përdorim në Kosovë ka për qëllim kontrollin më të mirë të parasë dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, siç është rasti i terroristëve në Banjska. Me kufizimin e pagesave në valuta të tjera, si dinari në këtë rast, Serbia përballet me vështirësi më të mëdha në financim, jo të pamundura por jo aq lehtë sa më parë. Shumë kanale financimi ishin të hapura dhe ky vendim ndihmon në frenimin e aktiviteteve të tilla.

5. Përdorimi i një monedhe të vetme mund të sjellë stabilitet ekonomik, duke e bërë menaxhimin dhe kontrollin e parave më të drejtpërdrejta.

6. Menaxhimi i inflacionit, deflacionit dhe rritjes ekonomike bëhet më efektiv

7. Menaxhimi me një monedhë të vetme lejon transparencë dhe mbikëqyrje më të mirë financiare, duke ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale

8. Përdorimi i një monedhe të vetme ndihmon në uljen e evazionit fiskal, pasi një monedhë e përbashkët thjeshton monitorimin dhe raportimin e transaksioneve

9. Ky vendim mund të rrisë besimin e investitorëve në stabilitetin ekonomik duke parandaluar ndërhyrjet në valutë

10. Ky vendim mundëson që dinari të humbë edhe më shumë besimin e rremë që ka krijuar në lidhje me përdorimin e tij si monedhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat