​Osmani: Nëse partitë politike pajtohen, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve

Aktuale

​Osmani: Nëse partitë politike pajtohen, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve

Më: 31 janar 2024 Në ora: 13:37
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se dje në takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ia ka paraqitur disa shqetësime sa i përket disa neneve të asociacionit, për çka theksoi se ky i fundit i ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin se shumica prej tyre, së paku do të akomodohen. Osmani foli edhe për çështjen e dinarit, derisa tha se Kushtetuta e Kosovës kërkon që në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë, për çka shton se është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri më tani.

Për këto dhe mundësinë për të pasur zgjedhe të reja, Osmani foli pasi bëri homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit , me rastin e 27 vjetorit të rënies heroike të tre heronjve të parë të UÇK-së.

E para e shtetit, Vjosa Osmani derisa foli për takimin e zhvilluar dje me Lajçak, ku edhe ia ka shprehur disa shqetësime lidhur me nenet e draftit të asociacionit, tha se Gjykata Kushtetuese është institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendos për përputhmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të mund t'i jep drejtim se si mund të zbatohen në praktikë këto dispozita pa u shkelur kushtetuta.

Ajo shtoi se kurdo që ky draft pas formalizmit të marrëveshjeve, shkon në Gjykatën Kushtetuese, secili institucion do të ketë mundësinë që të tregojnë argumentet e tyre se dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit.

Ndërkaq, lidhur me atë se a ka dhënë ndonjë kohë të caktuar Lajçak, lidhur me diskutimin për këto shqetësime, Osmani tha se beson që kjo procedurë mund të shkojë deri në verë, por që nuk ka diçka konkrete.

Osmani: Lajçak ka mirëpritur shqetësimet e mija lidhur me nenet e asociacionit

"Këto i kemi diskutuar edhe dje në takimin me zotrin Lajçak, ai ka mirëpritur ato dhe ka shprehur besimin se shumica dërmuese prej tyre së paku, do të mund të akomodohen. Megjithatë, mendoj se institucioni i cili përfundimisht do të mund të vendos për përputhmërinë me Kushtetutën e Kosovës do të mund t'i jep drejtim se si mund të zbatohen në praktikë pa u shkelur Kushtetuta e Kosovës këto dispozita, është vetëm Gjykata Kushtetuese e shtetit tonë. Dhe jam e bindur që kurdo që ky draft pas formalizmit të marrëveshjeve, shkon në Gjykatën Kushtetuese, në atë moment secili prej nesh si institucione do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona se dispozita të caktuara mund të krijojnë probleme dhe sfida të mëdha në praktikë gjatë zbatimit. Jam e bindur se gjykata duke marrur për bazë tekstin e kushtetutës dhe njëkohësisht edhe vendimin e vitit 2015, që paraqet një udhërrëfyes sa i përket asociacionit do t'i jep drejtim kësaj çështje dhe të eliminojë edhe këto probleme në praktikë”, tha Osmani.

Ndërkaq, lidhur me qarkullimin e dinarit serb në Kosovë, Osmani tha se dje nuk patën mundësinë që të diskutonte për këtë çështje me Lajçakun, derisa potencoi se Kushtetuta e Kosovës kërkon që në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë, për çka shton se është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri më tani.

Presidentja Osmani, shtoi se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë, kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, ajo theksoi se janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të kushtetues dhe në anën tjetër do ta lë një kohë për informimin e qytetarëve.

Osmani: Nuk mundëm ta diskutojmë me Lajçak çështjen e dinarit

"Sa i përket dinarit, dje me zotrin Lajçak nuk kemi arritur ta diskutojmë këtë sepse ka pasur edhe shumë tema të tjera që lidhen me dialogun. Sa i përket kësaj çështje ju keni plotësisht të drejtë që neni 11 i kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tani siç e kërkon kushtetuta. Banka Qendrore e Kosovës ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë siç edhe kërkohet nga ky institucion, kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të kushtetues, por në anën tjetër do ta lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre në llogari të reja, që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tonë në krahë, atëherë realizohen edhe këto sfida, tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e kushtetutës tonë në tërësi ", theksoi Osmani.

Përveç këtyre, Osmani e pyetur nga gazetarët se a mendon që do të ketë zgjedhje të parakohshme sivjet, tha se sipas afateve të rregullta ato duhet të mbahen në fillim të vitit 2025, për cak shtoi se nëse partitë politike kanë darkordim për t'i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës.

Për këtë, Osmani potencoi se po të ketë pajtim dhe dakordim ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në Kuvendin e Kosovës, për një datë më të hershme, ajo do të shpallë datën e re të zgjedhjeve brenda 30 deri 45 ditëve.

Osmani: Nëse partitë politike pajtohen, unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve

"Zgjedhjet sipas afateve të rregullta duhet të mbahen në fillim të vitit 2025, në qoftë se partitë politike kanë dakordim për t'i mbajtur ato më herët, janë disa opsione të cilat i lejon Kushtetuta e Kosovës. Një prej tyre është që Kuvendi të shpërndahet më herët, por për një gjë të tillë duhet 2/3 e votave, duhet një lloj pajtimi ose dakordimi ndërmjet shumicës dërmuese të partive politike që janë në kuvendin e Kosovës, për një datë më të hershme. Në qoftë se arrijnë këtë dakordim, në onëtin ata që dakordohen dhe e shpërndajnë kuvendin, si presidente unë e shpalli datën e re të zgjedhjeve brenda 30 deri 45 ditëve. Nuk ndërhyjë në proceset e tilla", tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat