Avokati: Vendimi ndaj Pal Lekaj u mor nga presioni publik

Aktuale

Avokati: Vendimi ndaj Pal Lekaj u mor nga presioni publik

Më: 31 janar 2024 Në ora: 23:56
Pal Lekaj

Avokati, Musa Damati, tha se Gjykata e shkallës së parë, ka qenë e ndikuar nga presioni publik, sa i përket dënimit të ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, me tre vjet e tetë muaj burgim, për ndarjen e 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Madje, Damati tha se ky vendim i tillë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, do të pësoj ndryshim në fazën finale.

Me ç’rast, avokati pretendoi se Gjykata s’ka pasur guxim të besoj në faktet shfajësuese, që mbrojtja e palëve u ka paraqitur atyre.

“Vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, s’është vendim i plotfuqishëm, është vendim vetëm i shkallës së parë, i cili pasi që të pranohet në formën e shkruar nga ana e mbrojtjes, ky vendim do të apelohet për në gjykatën e shkallës së dytë dhe patjetër ky vendim do të pësoj ndryshim në fazën finale. Pra, në Gjykatën e Apelit – Departamenti Special. Ne si mbrojtje do t’i potencojmë faktet dhe argumentet tona, të cilat janë të panumërta në këtë çështje penale. Mirëpo, Gjykata e shkallës së parë, si duket e ndikuar nga presioni publik, trysnia e publikut me këtë çështje, s’ka pasur guxim që të vendosë duke u falur besim fakteve shfajësuese”, deklaroi Damati.

Ndërkaq, i pyetur pse e konsideron të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore, Damati vlerësoi që ky vendim konsiston në shumë shkelje procedurale.

Teksa më tej, avokati tha se ka numër të madh të provave, të cilat dëshmojnë se vendimi lidhur me çështjen e 53 milionë eurove, s’ka qenë vendim i Lekaj.

“Vendimi konsiderojmë që konsiston në shumë shkelje procedurale, sepse gjatë këtij shqyrtimi vulominoz penal, kemi pasur një numër të madh të provave dhe kemi dëgjuar një numër të madh të dëshmitarëve, të cilët kanë konfirmuar që vendimi lidhur me çështjen e 53 milionëve, s’ka qenë vendim i klientit tim, Pal Lekajt. Por, ka qenë vendim i cili është marrë nga kolegjiumi dhe për të cilin është vendosur në mbledhje të Qeverisë. Kemi të bëjmë me një autorizim të transaksionit, i cili është bërë nga Qeveria e Kosovës në mbledhje të hapur, me vota unanime”, shtoi tutje Damati.

Sipas aktgjykimit, Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat