Baraliu: Vendimi për dinarin është i drejtë, pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet

Aktuale

Baraliu: Vendimi për dinarin është i drejtë, pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 14:07
Mazllum Baraliu

Vendimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb po konsiderohet i drejtë dhe si i tillë edhe duhet të zbatohet.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se përmes këtij vendimi pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet.

Baraliu për KosovaPress deklaroi se vendi duhet të përballojë presionin e ndërkombëtarëve për shtyrjen e vendimit për dinarin, pasi sipas tij, duhet të ndalohet qarkullimi i valutave të huaja ilegale në vend.

Baraliu: Vendimi është i drejtë dhe i domosdoshëm

“Vendimi është gjithsesi i drejtë, por edhe i domosdoshëm, sepse është obligim ligjor dhe kushtetues që Banka Qendrore të mbajë kujdes lidhur me politiken monetare që në këtë rast është e varur nga zona euro, por sidoqoftë që të zbatojë ligjin që të mos lejojë të qarkullojnë valuta të huaja ilegale në Kosovë. Andaj, vendimi është i domosdoshëm dhe me vend, dhe nuk duhet lejuar askush pastaj të ketë guximin siç disa zëdhënës nga Brukseli atje pretendojnë që ta fusin në negociata këtë çështje për arsyeje se është interne, një vendim i një institucioni të pavarur, dhe që duhet domosdo t’i zbatojë ligjet e këtij vendi”, tha Baraliu.

Ai potencon se në asnjë mënyrë nuk ka shkelje kushtetuese nga rregullorja e BQK-së lidhur me këtë çështje, derisa shton se çdo gjë është bërë në mënyrë ilegale duhet të ndërpritet.

Baraliu: Vendimi i BQK-së nuk ka shkelje kushtetuese

Në asnjë mënyrë, as nuk ka shkelje (kushtetuese), por përkundrazi është vonesë, në vite të konsiderueshme pikërisht lejimi i valutave ilegale siç është në mesin e tyre edhe dinari...Pra, çdo gjë është bërë në mënyrë ilegale, dhe duhet të ndërpritet kjo. Ky vendimi është i duhur, në kohën e vonuar, por të domosdoshme që të zbatohet, dhe askush nuk ka të drejtë të interferojë në politikat monetare dhe në pavarësinë e institucionit bankar siç është Banka e Kosovës”, tha Baraliu.

Ndërsa, ka renditur edhe të mirat që sjell kjo rregullore. Sipas tij, me hyrjen në fuqi të kësaj pamundësohen keqpërdorimet dhe abuzimet e po ashtu vlerëson se qarkullimi vë në disiplinë financiare që është e domosdoshme për stabilitetin bankar, i cili ndikon në sistemin ekonomik të vendit.

Baraliu: Me rregulloren e BQK-së për dinarin pamundësohen keqpërdorimet e abuzimet

“Vë në kontroll, disiplinë financiare. Paramendoni ardhjet me thasë në forma krejt ilegale, të pakontrolluara të valutave të huaja dhe qarkullimi i tyre nëpër Kosovë në mënyrë ilegale. Natyrisht se kanë obligime ato institucione bankare që i qarkullojnë këto të holla, edhe ndaj shtetit të Kosovës. Asnjë obligim nuk është kryer deri më tani, kështu tani futet në sistem informaliteti i qarkullimit të valutave të huaja, edhe të dinarit të Beogradit, bëhet qarkullimi në kuadër të kornizave ligjore dhe kryhen obligimet ndaj shtetit por edhe ndaj qytetarëve. Kështu që, pamundësohen keqpërdorimet, abuzimet dhe qarkullimi vë në disipline financiare që është e domosdoshme për stabilitetin bankar, i cili ndikon në tërë sistemin ekonomik”, përfundon Baraliu.

Megjithatë, pavarësisht se nga sot kjo rregullore ka hyrë në fuqi, ende dinari serb është duke qarkulluar në Graçanicë. Ekipi i KosovaPress-it sot ka evidentuar qarkullimin e dinarit nëpër dyqane të Graçanicës.

Në një nga market në këtë komunë, një qytetar ka bërë pagesë me dinarin serb që është antikushtetues dhe antiligjor në Kosovë.

Në anën tjetër, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili dje ka mohuar se do të ketë shtyrje apo anulim të rregullores për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat