​Qytetarët nga Graçanica kundërshtojnë vendimin për heqjen e dinarit nga përdorimi

Aktuale

​Qytetarët nga Graçanica kundërshtojnë vendimin për heqjen e dinarit nga përdorimi

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 14:12
Foto ilustrim

Qytetarët e komunitetit serb në Graçanicë konsiderojnë se do të dëmtohen nga vendimi për heqjen e dinarit serb nga përdorimi. Këta serbë lokal shprehen kritik ndaj ekzekutivit të Kosovës, të cilët kërkojnë që të hiqet nga fuqia një vendim i tillë. Përkundër kritikave, të njëjtit kanë vijuar me shfrytëzimin e kësaj valute. KosovaPress ka evidentuar qarkullimin e dinarit serb nëpër dyqane të Graçanicës. Edhe vet shitësit, prapa kamerës, kanë konfirmuar se kanë pranuar këtë valutë për blerje.

Nga sot ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme. Me këtë rregullore parashihet që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke u hequr nga përdorimi dinari serb. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores së re për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.

Megjithatë, qytetari nga Graçanica, Millosh Todoroviq e konsideron të padrejtë këtë vendim.

Todoroviq: Vendimi për dinarin nuk është i drejtë

“Nuk është e drejtë. Shpresoj se kjo do të ndryshojë sepse askund as në Kushtetutën zyrtare nuk shkruan që dinari është valutë që nuk njihet në Kosovë, madje as për euro nuk shkruan që është valutë zyrtare, sipas rregullës Kosova nuk do duhej ta kishte euron si valutë”, thotë ai.

Ai pret që ky vendim të mos mbetet në fuqi dhe të vazhdojë me shfrytëzimin e dinarit serb si valutë.

Todoraviq: Do të na dëmtoj ky vendim nëse mbetet në fuqi

“Do të na dëmtoj nëse mbetet në fuqi, por shpresoj që nuk do të mbetet në fuqi dhe do të mund edhe më tutje ta përdorim dinarin”, shton ai.

Edhe Kosora, një e moshuar serbe konsideron se heqja e dinarit nga përdorimi do t’i dëmtojë pensionistët.

Kosara: Ky vendim do të na ndihmojë

“Natyrisht që do të na dëmtojë nëse nuk pranojmë si, nuk jemi vetëm ne në pyetje, ka të bëjë edhe me ju, edhe njerëzit e juaj i marrin pensionet nga Serbia, kjo do të ishte katastrofë për gjithë popullin, populli duhet të jetojë, ta lemë politiken... Them populli duhet të jetojë, ta ketë lirinë, liria është me e rëndësishmja në jetë, që populli të mund të jetoj. Vështirë, mund të ju them që është vështirë për rininë”, thekson ajo.

Titomir Sekuliq, i cili është banor i Graçanicës thotë se këtë e ka vendosur pushteti, për çka shprehet kritik.

Sekuliq: Nuk di çka të them, do të na dëmtojë

“Çka të komentojë, pushteti më i fortë...Si jo do të na dëmtoj, nuk di, nuk di çka të them”, përfundon Sekuliq.

Bashkimi Evropian edhe sot ka reaguar lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, duke i kërkuar Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mbrëmë ka deklaruar se do të ketë periudhë tranzitore që do të përcillet me edukim dhe informim të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë nuk e kontestojnë që euro ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat