​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

Aktuale

​AGK: Qeveria të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) kanë reaguar ndaj Projektligjit për KPM, duke thënë se propozimi ligjor, për herë të parë në historinë e re të Kosovës, ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video, nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.

Ky projektligj detyron mediat online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet në Kuvend ku edhe është dërguar për miratim nga Qeveria në muajin janar 2024.

AGK dhe KPM thonë se ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropianë janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se këto ndryshime i shohin si një përpjekje të re të qeverisë aktuale të sulmojë mediat me tendencë për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë duke përfshirë edhe nevojën që të licencohen në mënyrë të veçantë.

Rexha: E ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshime

“Arsyeja e kësaj konference është ligji i ri për KPM-në, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në fund të vitit të kaluar dhe e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës ...Ky ligj do të ndikojnë direkt në punën e mediave online...Ndryshimet ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediat dhe tendencë për ti kontrolluar ato, sepse parashihet që KPM t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të video duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe këtë e shohim si një tjetër përpjekje sulm tjetër të qeverisë ndaj lirisë së mediave...E ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshime,” tha Rexha.

Juristja e së Drejtës së Medias, Flutura Kusari, tha se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit duke i detyruar mediat që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

Kusari: Për herë të parë në Kosovë ndryshon radikalisht mënyrën e mediave online

“Projektligji për KPM është aprovuar në mbledhjen e qeverisë 4 ditë para vitit të ri dhe është publikuar online në faqen e Zyrës së kryeministrit pas kërkesës sonë që ky dokument të bëhet publik... Për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetë rregullimit, duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror. Secila media online që dëshiron të publikojë video do të duhet të aplikojë për leje te Komisioni i Pavarur për Media nëse projektligji aprovohet... Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare detyrohen që të hapin kompani për të plotësuar kërkesat e licencimit. Mediat online do të detyrohen që të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, do të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40 mijë euro”, tha ajo.

Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, theksoi se qëllimi i projektligjit është pikërisht dobësimi i mediave të shkruara.

Mushkolaj: Qëllimi është dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës

“Qëllimi i projektligjit të KPM-së është pikërisht dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës...I bëjmë thirrje qeverisë që ta tërheqë këtë projektligj”, theksoi Mushkolaj.

AGK dhe KMSHK janë përgatitur që t’i informojnë Këshillin e Evropës, OSBE-në, Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera.

Ndryshe, ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja; mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit; mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja; mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%; mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro; KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht; anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat