Ministri Vitia prezanton “të arriturat” në Shëndetësi, i reagon deputeti Haxhiu

Aktuale

Ministri Vitia prezanton “të arriturat” në Shëndetësi, i reagon deputeti Haxhiu

Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 13:21
Pamje nga Komisioni

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se së shpejti do të nisë zbatimi i ligjit të ri për sigurime shëndetësore. Gjithashtu ka thënë se ligji për ndalimin e duhanit, ligji për inspektoratin dhe ligji për barna janë në finalizim.

Vitia, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi, ka përmendur disa të arritura që kanë shënuar gjatë vitit 2023 në fushën e shëndetësisë.

Vitia ka thënë se kanë zvogëluar pritjet në disa klinika, ndër të cilat përmendi edhe Klinikën e Radiologjisë.

“Në Ortopedi kemi bërë renovim të sallave, do të blihen edhe aparatura të reja, e proteza të ndryshme. Po punohet edhe në spitalet tjera. Në Klinikën e Kardiologjisë ka pasur rekord të ndërhyrjeve, kjo po zgjerohet edhe në Prizren, Po ashtu, në Kirurgjinë Vaskulare po investojmë në salla, çdo investim në salla, rrit volumin e punës”, ka theksuar ministri.

Ministri Vitia ka thënë se janë bërë investime edhe në Klinikën e Neurokirurgjisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka pasur një varg kritikash në drejtim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Këtë të fundit, Haxhiu e kritikoi për punët që janë kryer nga Ministria e Shëndetësisë në modernizimin e sektorit.

Ai i tha ministrit se po flisni për shëndetësi moderne por Sistemi Informativ Shëndetësor ende nuk është realizuar.

“Nuk mund të flisni për shëndetësi moderne kur nuk kemi sistem informativ shëndetësor dhe sigurime shëndetësore. Unë prita që do të flisni për strategji kurse ju na prezantuat blerjen e autoambulancave”, ka deklaruar deputeti Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat