​Rezultatet e vizitës së Lajçak në Kosovë dhe Serbi pritet të jenë minimale në dialog

Aktuale

​Rezultatet e vizitës së Lajçak në Kosovë dhe Serbi pritet të jenë minimale në dialog

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 08:57
Lajçak dhe Kurti

Rezultatet e vizitës të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë kësaj jave në Prishtinë dhe Beograd, po vlerësohen se do të jenë minimale në dialog nga analistët politikë. Sipas tyre, pranimi nga ana e Lajçak se ka pak përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tregon se procesi i dialogut ka hyrë në një krizë të re, veçmas, siç thonë kur pas pesë muajsh do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian.

Analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë për KosovaPres, se sheh pak progres në dialog, megjithëse thekson se çdo proces ndërkombëtar i Kosovës, do të varet nga performanca e saj në dialogun me Serbi dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Ai shton se dialogu do të ketë shumë paqartësi më të mëdha nëse në Bashkim Evropian, fiton e djathta ekstreme, ndërkaq në ShBA, Donald Trump. Prandaj, sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk duhet të ketë ngurrim në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Muhaxhiri: Çdo proces ndërkombëtar i Kosovës do të varet nga performanca në dialog

“Çdo proces i Kosovës do të varet nga performanca e saj në dialog. Dialogu nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin. Të gjitha shtetet e rajonit varen nga normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe Bosnja, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Për këtë arsye ndikimi i kësaj marrëveshje historike do të jetë i jashtëzakonshme dhe për këtë shkak i kemi këto insistime shumë të mëdha, veçanërisht në këtë kohë kur janë dy kriza globale në Ukrainë dhe Izrael. Ideja është pak e pakuptueshme pse ka kaq ngurrim, veçanërisht nga kryeministri Kurti, kur nëse nuk realizohet tash marrëveshje, me siguri do të ketë shumë paqartësi në fund të vitit. Do të jetë krejtësisht ndryshe nëse fiton Trump në ShBA dhe nëse fiton e djathta në Evropë do të ndryshohet krejtësisht konteksti dhe ka mundësi që të ketë një stagnim afatgjatë së paku për mandatet e Trump dhe legjislaturës e BE-së në raport me dialogun. Kjo do të ishte e tmerrshme për Kosovën, pasi do të vazhdonte status-qoun”, thotë ai.

Skeptik se do të ketë progres në dialog është edhe analisti tjetër politik, Dorajet Imeri. Ai thekson për KosovaPress, nevojën që Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, të bëjnë më shumë presion, veçmas ndaj Serbisë për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Siç konsideron ai, nëse mbetet në vullnetin e Kosovës dhe Serbisë që të pajtohen për zbatimin e marrëveshjes, atëherë kjo do të zgjasë pambarimisht.

Imeri: BE dhe ShBA të bëjnë presion ndaj Serbisë për zbatim të marrëveshjes

“Nëse presim që Kosova dhe Serbia të pajtohen shpejt për një marrëveshje që do të ishte shprehje e vullnetit politik të tyre, atëherë kjo do të zgjasë pambarimisht. Serbia është e interesuar që të vonojë procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe natyrisht që gjëja me rëndësishme është që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. Një ndër to është Këshilli i Evropës, por edhe mekanizma të tjerë si Bashkimi Evropian dhe NATO. Natyrisht për aq kohë sa Serbia e ka këtë qasje, kërkohet nga Kosova që të gjejë një rrugë tjetër për të forcuar dhe konsoliduar shtetësinë e saj”, thekson Imeri.

Lajçak gjatë kësaj jave qëndroi në Kosovë dhe Serbi. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ai tha se ka pak përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa bëri të ditur se blloku evropian do të merr një vendim se çfarë hapash do të ndërmarrin në procesin e dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat