​Heqja e dinarit serb, flasin qytetarët

Aktuale

​Heqja e dinarit serb, flasin qytetarët

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur që nga 1 shkurti 2024 valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë të jetë euroja, duke hequr nga përdorimi dinarin serb. BE dhe SHBA kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin, duke thënë se kjo mund të nxisë tensione etnike.

Qytetarët e Kosovës mendojnë se dinari serb është dashur të largohet nga përdorimi qe nga përfundimi i luftës dhe thonë se BQK-ja ka vepruar mirë.

Selman Bytyqi thotë se dinari është dashur të ndalohet që nga përdorimi qe nga përfundimi i luftës dhe se askund në botë nuk përdoren për pagesa dy-tri valuta.

Bytyqi: Ne jemi shtet i pavarur, e kemi valutën tonë:

“Dinarin është dashur të hiqet moti, menjëherë mbas lufte... Ne jemi shtet i pavarur, e kemi valutën tonë, askund në botë në një shtet dy- tre valuta nuk qarkullojnë,” tha Bytyqi.

Edhe qytetari tjetër, Riza Syla, thotë se një veprim i tillë është dashur të ndërmerrej shumë herët.

Syla: Qe 23 vjet është bërë çka kanë dashur ata në Kosovën tonë

“Ato është dashur të rregullohet më herët, jo pas 23 vjetësh. Qe 23 vjet është bërë çka kanë dashur ata në Kosovën tonë, kanë punuar, dhe tash Albin Kurti po mundohet ta shkurtojë, por këta “idiotët” tanë nuk po e lënë prapë...Ka marrëveshje ky edhe me ata, por ata i thonë ti puno, ne flasim, por prapë me ty jemi. Ky “budalla” nuk është me Amerikë, Angli e me Gjermani me u prish, dhe ata janë duke na mbajtur se sa për ne, për një orë na zhdukin,” shprehet Syla.

Po ashtu, Bexhet Neziri thekson se Serbia me dinarë nuk duhet të përzihet në Kosovë dhe se nuk duhet të ekzistojë askund.

Neziri: Ata që përdorin dinarin serb, le të shkojnë në Serbi

“Nuk duhet këtu as të ekzistojë. Ata që e marrin dinarin serb dhe bashkëpunojnë me dinarin serb le të shkojnë të bashkëpunojnë me Serbinë lirë. Ne e kemi euron, e kemi paranë tonë, jemi shtet në veti. Serbia me dinarë këtu nuk duhet të përzihet hiç,” thekson ai.

Ndërsa një qytetar tjetër, që nuk deshi të identifikohej, tha për KosovaPress se heqja e dinarit serb është vendim paksa i ngutur.

Qytetari: Është pak i ngutur, edhe pse është e dhimbshme

“Kryesisht normale, por sikur të ishin rrethanat pak më ndryshe dhe në koordinim me të tjerët, sepse jo që edhe të tjerët e kanë lejuar këtë bash për pikën e qejfit”, në shumë gjëra ne kemi qenë të kushtëzuar në shpalljen e Pavarësisë, e kështu mos të shkaktojmë provokime, ngacmime të tjera, sidomos në kohën e bisedimeve që është dashur të finalizohet diçka, mendoj që është pak i ngutur edhe pse është e dhimbshme. Unë vetë kam pasur rast në Graçanicë, ti shkon në komunë dhe ai të thotë “merre bëj dinarë dhe kthehu”, që nuk është në rregull. Por, nëse të tjerët thonë se nuk kemi nevojë të ngutemi për këtë punë, mendoj se ndoshta duhet të jepet një tolerancë për një kohë që ajo të bie në binarët e vet...Nëse Vuçiq, por edhe Kurtit i konvenon të ketë konflikt, atëherë normalisht që bëjnë këso veprime, për të mos e realizuar asociacionin, ai tjetri për të mos e pranuar Kosovën dhe e shtynë deri dikur derisa të lodhën dhe këta ose ndërkombëtarët t’u thonë “ngadalë burra, se e tepruat”. Është e dhimbshme që Perëndimi sillet në mënyrë diplomatike me krerët ballkanikë, që nuk kanë lidhje me diplomaci, por vetëm presionin dhe forcën e njohin,” thotë qytetari.

Ndryshe, shqetësime për heqjen e dinarit serb kanë shprehur BE-ja dhe SHBA. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të shërbyer si avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat