Hetuesi serb që inspekton Policinë e Kosovës

Aktuale

Hetuesi serb që inspekton Policinë e Kosovës

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 20:32
Zoran Ristiq

Për herë të parë, në një paraqitje mediale hetuesi i Inspektoratit Policor të Kosovës nga komuniteti serb, ka folur për punën e tij në zyrën rajonale në veri.

Ai thotë se bashkëpunimi me qytetarët dhe Policinë e Kosovës është korrekt ndërsa shtoi se që nga vitit 2014, nuk ka pasur asnjë problem.

Ndërsa zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, tha se ideja e hapjes së kësaj zyre në veri, është për të reaguar sa më shpejt në rastet të cilat lidhen me pjesën veriore të vendit.

Tash e dhjetë vite pranon telefonata të tilla.

Zoran Ristiq nga komunitetit serb, kryen funksionin e hetuesit në Inspektoratin Policor të Kosovës, që nga viti 2014.

Këtu në zyrën rajonale të Mitrovicës së veriut, Ristiq punon nga e hëna në të premten.

Ai merret me ankesa të qytetarëve në rast se zyrtarët policor të Kosovës bëjnë shkelje të rregullores së brendshme të Policisë.

Në një paraqitje të parë para medieve, hetuesi serb në IPK, thotë se ka bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e katër komunave veriore.

“Puna ime në këtë zyrë është që të kemi një bashkëpunim më të afërt me qytetarët, ashtu që më së lehti të mund të ankohen si qytetarë, nëse duan të bëjnë këtë. Për këtë arsye kemi hapur këtë zyrë që të jemi më afër qytetarëve në një mënyrë më adekuate, që të jemi sa më afër, dhe sa më lehtë, të mund të japin ankesa në IPK. Angazhohemi që kjo zyrë të jetë e hapur në periudhën e caktuar. Pra, ne jemi të angazhuar nga e hëna në të premte”, ka thënë Zoran Ristiç, hetues i IPK-së në veri.

Ai thotë që kanë një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

“Qëkur punoj në IPK, nuk kemi asnjë problem as me qytetarët, as me Policinë e Kosovës. Pra, bashkëpunimi është në një nivel të mirë. Nuk kemi problem as me Policinë, as me ndonjë grup tjetër a çfarëdo. Është një bashkëpunim i mirë mes policisë dhe hetuesve, pra gjithmonë, kur na duhet ndonjë detyrë shtesë ne e kërkojmë nga Policia dhe ata gjithmonë e ofrojnë. Pra, bashkëpunimi ndërmjet Policisë dhe hetuesve të IPK-së është shumë i mirë”, u shpreh Ristiç.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, theksoi se ka qenë e domosdoshme hapja e kësaj zyre në Mitrovicë të veriut.

Sipas Bekës, intervenimi më i shpejt në raste të dyshimta ku mund të jenë të përfshirë edhe zyrtarët policorë, është edhe objektivi i IPK-së.

“Ne kemi një bashkëpunim të mirë të gjithë hetuesit të cilët janë të angazhuar në kuadër të funksionimit të zyrës rajonale këtu në veri. Ideja ka qenë që të shkurtohet koha e reagimit në rast se kemi ndonjë thirrje prej qytetarëve që do të reagojnë ose dalin në vend të ngjarjes si dhe natyrisht, pjesa e natyrës preventive që nënkupton parandalim i rasteve të mundshme potenciale ku zyrtarët policor mund të jenë të përfshirë si të dyshuar”, ka deklaruar zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka.

Shtrirjen e IPK-së, në pjesën veriore të vendit, e sheh si të domosdoshme njohësi i sigurisë, Arben Dashevci.

“Kur shtrihet veprimtaria e IPK-së edhe në këtë pjesë matanë lumit Ibër, do të jetë pasqyrë e qartë e punës së Policisë së Kosovës. Sepse IPK u përgjigjët çdo ankese të pjesëtarëve, ose qytetarëve të Republikës së Kosovës pa marrë parasysh, racën apo nacionaliteti, me këtë mbështetet në kodin penal të republikës së Kosovës dhe kodin e procedurës penale”, ka thënë njohësi i qështjeve të sigurisë, Arbër Dashevci.

Përveç punës në terren, kjo zyrë rajonale e Inspektoratit Policor të Kosovës, pranon edhe takime me qytetarët të cilët shkojnë për të deponuar ankesat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat