Zëdhënësi i Doganës jep detaje për “kamionin me dinarë” që Serbia tentoi ta fuste ilegalisht në Kosovë

Aktuale

Zëdhënësi i Doganës jep detaje për “kamionin me dinarë” që Serbia tentoi ta fuste ilegalisht në Kosovë

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 17:31
Foto ilustrim: Kamionë të renditur në Merdare, pikë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Doganës, Adratik Stavileci, për rastin kur Serbia tentoi të futë ilegalisht rreth 117 milionë dinarë në Kosovë, ka theksuar se disa persona në pikën doganore në Jarinje kanë pyetur nëse lejohet importi i mjeteve monetare dhe doganierët i kanë thënë se pa autorizim paraprak nga BQK-ja nuk mund të lejohet një import i tillë.

“Kemi pasur një kërkesë nga përfaqësues të caktuar, të cilët në pikën doganore të Jarinjës, kanë pyetur se a mund nëse mund të lejohet importi i mjeteve monetare dhe normalisht oficerët e doganës i kanë sqaruar se pa autorizimin paraprak nga BQK-ja nuk mund të lejohet një importi i tillë”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se nuk kanë detaje se për ku ishin të destinuara ato mjete monetare.

“Nuk kemi detaje se për ku ishin të destinuar, por sidoqoftë dogana ju ka sqaruar sesi shkon procedura e cila duhet të jetë në rastin e importit të mjeteve monetare”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse janë duke e respektuar rregulloren e re të BQK në të gjitha pikat e kufitare, e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovës, Stavileci ka thënë se i zbatojnë të gjitha vendimet e të gjitha institucioneve.

“Jo vetëm të BQK-së por të të gjitha institucioneve të cilat kanë funksione specifike dhe kërkojnë nga dogana një zbatim të tillë në kufi dogana e zbaton”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat